Greva njëmuajshe në arsim ka bërë dëme të mëdha, vlerësojnë njohësit e çështjeve të arsimit dhe, sipas tyre, tash duhet rikuperuar ato në mënyrë që të shmangen pasojat në nxënës. Ata tërheqin vërejtjen për ndikim e madh të grevës te fëmijët që kanë nisur me klasën e parë, te nxënësit e klasave të pesta që e përfundojnë ciklin e ulët, si dhe klasat e nënta e të dymbëdhjeta, që i nënshtrohen përkatësisht Testit të Arritshmërisë dhe të Maturës
Nëse orët e humbura, shkaku i grevës njëmuajshe të mësimdhënësve, nuk kompensohen, atëherë pasojat janë të mëdha për nxënësit, thonë njohësit e arsimit në Kosovë. Paralajmërimi i tyre mbi pasojat e grevës vjen në kohën kur ende vazhdon debati nëse duhet vënë në jetë propozimin e Ministrisë së Arsimit për kalendarin e ri, që parasheh mësim edhe gjatë të shtunave e shkurtim të pushimit dimëror, si dhe refuzimit të Sindikatës për t’i kompensuar orët e humbura.
Drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, ka thënë se kompensimi i orëve nuk ka alternativë. Sipas tij, nëse një njësi mësimore nuk shpjegohet, nxënësit do të ngecin në fitimin e njohurive për atë lëndë.
"Unë e marr shembull matematikën. Një ditë kur mëson, ajo ditë lidhet me ditën tjetër, ndërsa dita tjetër me muajin tjetër. Nëse e humb një muaj mësim në matematikë, automatikisht mundesh ta humbasësh vitin, pasi matematika zhvillohet si zinxhir”, ka thënë ai.
Kompensimi i orëve mësimore ka vënë në siklet prindërit, të cilët druajnë se mbingarkesa mund të ketë ndikim negativ te fëmijët e tyre. Këtë shqetësim e shpreh edhe Egzon Gashi, por se, sipas tij, plotësimi i orëve është e vetmja mënyrë për zbutjen e dëmit të shkaktuar nga greva.
“Dëmi është bërë, tash është mundësia për ta zbutur atë humbje që është bërë një muaj. Duhet të bëhet në mënyrë efektive, duhen realizuar orët nga fillimi”, ka thënë ai.
Ministria e Arsimit ka ndryshuar kalendarin shkollor, ku përfshihet kompensimi i orëve të humbura. Sipas kalendarit shkollor, mësimdhënësit e angazhuar në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, tetë ditë të humbura të mësimit do t’i kompensojnë të shtunave. Krahas kësaj, ata do të punojnë edhe gjatë pushimit pranveror, si dhe në fund të gjysmëvjetorëve. Njëjtë edhe mësimdhënësit e shkollave të nivelit të mesëm të lartë, por jo edhe të shtunave.
Sipas Skender Halimit, drejtor në shkollën fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë dhe njëherësh hartues i kurrikulave, njësitë mësimore kanë lidhje të ngushtë mes vete dhe shkëputja e tyre mund të rezultojë që nxënësit të mos kuptojnë asgjë nga ajo lëndë.
“Nuk mund të bëjmë shkëputje të planprogramit, të themi që po e trajtojmë një pjesë të planit lëndor, një pjesë tjetër jo, se kjo ia pamundëson fëmijës që të ecim në pjesën tjetër të rezultateve”, ka thënë ai.
Pasojat e mosplotësimit të orëve, sipas Halimit, do të vërehen te nxënësit që vitin e ardhshëm do të kalojnë në nivel tjetër arsimor.
“Problemet më të mëdha do të vërehen te shkëputja ose te ndarja e niveleve te klasat e pesta, që dalin në klasën e gjashtë, nëse do të dalin pa i përmbushur këto njësi mësimore që janë të parapara, që janë humbur këto orë, te klasat e nënta që do t'i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë ose vlerësimit të jashtëm dhe klasa e 12 që do t'i nënshtrohet Testit të Maturës”, ka thënë ai.
Edhe më komplekse e vlerëson Halimi situatën me nxënësit e klasës së parë. Ai ka thënë se çdo njësi mësimore e humbur për këta fëmijë do të krijojë një boshllëk jetësor.
“Problem do të kemi edhe te klasat e para. Janë 22 ditë pune që janë humbur dhe, kur e dimë çfarë planprogrami kanë ato klasat e para dhe një humbje prej 22 ditësh, edhe mësueseve edhe nxënësve do t'u krijojë një ngarkesë të madhe”, ka thënë ai.
Një muaj e një javë, mësimdhënësit qëndruan në grevë të përgjithshme me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove.
Kundër kompensimit të orëve janë deklaruar në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Në këtë sindikatë kanë thënë se nuk do të kompensohen orët deri sa t’i pranojnë pagat për muajin shtator në llogaritë e tyre.
Megjithëse Ministria e Financave ka deklaruar se grevistët nuk do të paguhen, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka rekomanduar një formulë për pagën e shtatorit. Ajo i ka propozuar Ministrisë së Financave që t’ua qesë mësimdhënësve pagën në formë avance, si kompensim për zëvendësimin që do ta bëjnë për orët e humbura.