Arbëri

Njeriu që u promovua se do të fillojë Sigurimet Shëndetësore, u largua pa asnjë rezultat konkret

Fatmir Plakiqi

Dy javë pas vendimit për suspendim të përkohshëm, Fatmir Plakiqi është njoftuar për shkarkim nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Vendimi për shkarkimin e Plakiqit është marrë më 4 gusht. KOHA ka siguruar letrën e bordit drejtuar Plakiqit. Aty renditen keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet në këtë Fond, siç pati raportuar KOHA në serinë hulumtuese të para disa javëve. Rastet kanë të bëjnë me trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi.

Kur në vitin 2017, drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor ishte caktuar Fatmir Plakiqi, ministri i atëhershëm Uran Ismaili ishte optimist që ai do ta transferojë këtë institucion siç thoshte që ka bërë me institucionet ku ka udhëhequr.

“Zotëri Plakiqi vjen në këtë pozitë pas një përvoje shumë të madhe dhe të pasur institucionale. Ai ka zhvilluar dhe ka transferuar disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, nga pika fillestare në institucione të fuqishme, kredibile dhe shumë të suksesshme”, qe shprehur Ismaili më 21 dhjetor të atij viti.

Pesë vjet me vonë, Plakiqi është shkarkuar nga kjo pozitë. Institucioni jo që nuk është transferuar, por problemet e skandalet janë thelluar.

Ndonëse do të duhej që gradualisht të bëheshin përgatitjet për sigurime shëndetësore, për këto pesë vjet pothuajse nuk u fol fare për to. I vetmi funksion i Fondit mbeti pagesat për trajtim jashtë vendi, e për këtë KOHA në një hulumtim të gjatë i faktoi keqpërdorimet.

Edhe arsyetimi i bordit për shkarkimin e Plakiqit është i gjatë. Përmenden kryesisht ato çka ka raportuar televizioni.

Një nga pikat kryesore ku ka dështuar Plakiqi, sipas vendimit, është menaxhimi i financave, kryesisht parave të dedikuara për trajtim jashtë vendi.

“Fletëzotimet e lëshuara nga drejtori i Fondit, të cilat nuk janë materializuar ende, meqë nuk ka ndodhur aprovimi i kompensimi nga bordi për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike, kap shumën prej 19,476 milionë eurosh për 3 vjetët e fundit. Me fjalë të tjera, nëse edhe gjysma e kësaj shume do të shndërrohej në detyrim, detyrimi i përgjithshëm i Fondit për Sigurime Shëndetësore karshi institucioneve shëndetësore do të ishte 9, 738 milionë euro”, thuhet në vendim.

Në arsyetim flitet edhe për atë se Plakiqi kishte mashtruar me shifra e megjithatë e kishte nënshkruar raportin vjetor ku siguronte që ato të dhëna janë të sakta.

“Deklaratat e drejtorit të Fondit janë të pasakta dhe njëherësh pasqyrojnë dështimin e mekanizmit të kontrollit të brendshëm, meqë përkundër parregullsive në raportime financiare sa u përket detyrimeve kontingjente që rrjedhin nga fletëzotime, i njëjti pohon se të gjitha detyrimet kontingjente janë raportuar, pohim substancialisht i pasaktë sikur u demonstrua si më lart”, thuhet tutje në vendim.

E, nga viti 2019, sipas arsyetimit, çdo vit shpenzueshmëria kishte tejkalim të buxhetit. Në vitin e kaluar ka arritur në 140 për qind tejkalim.

Dy javë me herët Plakiqi ishte suspenduar përkohësisht nga pozita.

Ai i kishte quajtur spekulime raportimet e KOHËS, ndërsa kishte kërcënuar që do të bënte kallëzim penal kundër këtyre raportimeve.