Aksidentit me autobus në Slavonski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën dhjetë persona të dielën në mëngjes dhe dhjetëra u lënduan, i ka mbijetuar Ramë Gashi dhe bashkëshortja e tij Kada, e cila është e hospitalizuar dhe po pret të operohet në shpatull.
“Udhëtimi ishte i këndshëm, madje edhe argëtues, dhe ne ramë në gjumë rreth orës 5 të mëngjesit, sepse kishte disa të rinj poshtë që kënduan gjithë natën. Sapo më zuri gjumi dëgjova disa të shtëna që më zgjuan. Ishte një sekondë. Sapo pashë veten duke fluturuar poshtë, gjërat po binin mbi ne, ulëset ishin thyer, njerëzit po shtrëngonin duart e tyre, unë papritmas kuptova se një grua poshtë meje kishte vdekur. Ishte shkatërruar çdo gjë rreth nesh, njerëzit ishin shtrirë njëri mbi tjetrin, e gjëja më e vështirë për mua ishte të shihja të rinjët që humbën jetën, dhe ishin disa prej tyre”, ka rrëfyer Gashi për “Jutarnji” tmerrin e përjetuar. “Më pas kërkova bashkëshorten që ishte ulur me një shoqe, e kur e gjeta atë dola të ndihmoja tjerët, pasi fizikisht isha në rregull, e atë shok fillestar shpejt e tejkalova për të ndihmuar tjerët”.
Ramë Gashi dhe bashkëshortja e tij po udhëtonin nga Mannheimi dhe destinacion e kishin Mitrovicën. Po shkonin në pushime.
“Nuk doja as të shkoja, por bashkëshortja më tha se duhet të shkojë me të me autobus. Unë doja të udhëtoja me aeroplan, pasi fluturimi nga Stuttgarti deri në Prishtinë zgjatë vetëm një orë e gjysmë. Por ajo insistoi të udhëtonim me autobus. Nuk do të harrojë këtë kurrë”, thotë ai.
Në autobusin e linjës Frankfurt – Prishtinë ishin 67 persona, 65 pasagjerë e dy shoferë. Nëntë pasagjerë vdiqën dhe njëri nga shoferët.