Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Njerëz të Vetëvendosjes, në përbërjen e Bordit që Qeveria ia propozoi Kuvendit

Qeveria e Kosovës ia ka propozuar Kuvendit përbërjen e re të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në të cilin ka përfshirë së paku 3 personalitete të partive në pushtet.

Kryeministri Albin Kurti, i cili e ka prezantuar listën e të propozuarve para anëtarëve të kabinetit qeveritar, paralajmëroi se kjo përbërje do të ketë mandat që ta shuajë AKP-në dhe ta transformojë atë në agjenci brenda Qeverisë.

“Ky le të jetë Bordi i fundit i AKP-së, në mënyrë që të hapim një etapë zhvillimore në Republikën e Kosovës, drejt Fondit Sovran, Agjencisë e Bankës Zhvillimore dhe në këtë mënyrë tjetërsimet abuzive që janë bërë në të kaluarën, duke përfshirë aty vrasjen enigmatike, vdekjen enigmatike të ish-kreut të AKP-së, të jenë një periudhë që e tejkalon Kosova e pavarur”, ka deklaruar Kurti.

Të propozuarit e Qeverisë për anëtarë të Bordit të AKP-së janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Nazm Mikullovci, që u propozua për kryesues, është anëtar i Vetëvendosjes. Ai ka qenë kandidat për deputet dhe kryesues i Komitetit për Industri i kësaj partie.

Edhe Ish-kandidati i VV-së për deputet propozohet për kryesues të Bordit të AKP-së Arbëri Ish-kandidati i VV-së për deputet propozohet për kryesues të Bordit të AKP-së

Dy vjet më parë, në Vetëvendosje ishte anëtarësuar edhe Mentor Hyseni dhe kishte garuar për deputet.

E, Xhevdet Neziraj ishte deputet i IRDK-së, parti kjo egjiptiane që tash drejtohet nga ministri Elbert Krasniqi.

LDK-ja në opozitë ka reaguar pas publikimit të emrave.

“Logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes, nëpërmjet kapjes së hises me militantë partiakë, përveçse është e paligjshme është edhe moralisht e gabuar. Një praktikë e tillë ndaj agjencive ligjërisht të pavarura është praktikë tashmë e zakonshme e Qeverisë populiste që kapjen dhe nepotizmin i kanë shndërruar në kauzë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kryeministri Kurti ka thënë se nga kjo përbërje pret që t’i marrë masat për të ndaluar procese privatizimi, sipas kërkesës së Qeverisë.

“Është tashmë fakt i njohur se jo vetëm procesi i privatizimit ka paraqitur problem në shumë nivele. Së pari në qasje e në koncept. Së dyti në mënyrën se si është vepruar e manipuluar me jo pak raste që janë vërejtur nga vendimet ndër vite të Agjencisë dhe të cilat janë paraqitur gjatë punës së komisioneve hetimore parlamentare”, ka shtuar Kurti.

Edhe LDK: Në vend të shuarjes, Qeveria Kurti e kapi bordin e AKP-së Arbëri LDK: Në vend të shuarjes, Qeveria Kurti e kapi bordin e AKP-së

Vetëvendosje vazhdimisht ka kritikuar procesin e privatizimit.

Në programin qeverisës ajo ka paraparë shuarjen e AKP-së, me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë. E, krahas kësaj, ka planifikuar ta krijojë Fondi Sovran, për t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovë, e edhe të themelojë Agjencinë dhe Bankën Zhvillimore.