Disa spitale private në Shqipëri ofrojnë çmime të ndryshme për pacientët kosovarë që i frekuentojnë ato për të marrë shërbime mjekësore me buxhetin e tyre, krahasuar me ata, të cilëve shpenzimet ua mbulon Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Bazuar në faturat që i posedon KOHA, për shërbime të njëjta një spital privat i ka ngarkuar pacientët me vetëfinancim me vlerë 20 për qind më të ulët sesa ata që janë subvencionuar nga Fondi.
Një qytetar që ia tregoi faturat KOHËS e kërkoi të mos identifikohej, ka thënë se për trajtimin nëpërmjet Fondit në një spital privat në Shqipëri, stafi i spitalit e ka njoftuar që për procedurën që kushton rreth 1 mijë e 600 euro dallimi nëse paguan vetë është rreth 500 euro.
Spitali privat që më së shumti përfiton nga pacientët që marrin trajtim nëpërmjet Fondit është ai Amerikan. Lidhur me çështjen, KOHA i adresoi pyetje përmes emailit, porse nuk ka marrë përgjigje.
Në Fondin e Sigurimit Shëndetësor deklaruan se pacientët nuk kanë adresuar ankesa të tilla me shkrim, tek e sqaruan procedurën se si pacientët vendosin për spitalet ku u subvencionohen trajtimet.
“Bazuar në UA 03/2023 pacienti e përzgjedh institucionin për të siguruar shërbimin shëndetësor të nevojshëm. Fondi e mbulon financiarisht shërbimin shëndetësor për pacientin sipas Vendimeve të Bordit për TMJISHP bazuar në kriteret e përcaktuara në UA 03/2023 (çmimeve referente)”, thuhet në përgjigjen e Fondit.
Ky institucion, me ndryshimin e Udhëzimit Administrativ ka vendosur çmim fiks për 115 diagnoza. E për tjerat, çmimi përcaktohet pasi pacientët dërgojnë në Fond tri profatura të institucioneve të ndryshme spitalore.
Në Fond thanë se të gjitha profaturat e pranuara tashmë po i konfirmojnë me spitalet.
“Sa u përket profaturave, të cilat parashihen me UA 03/2023 (aplikimi me 3 profatura për shërbimet që nuk janë pjesë e shtojcës), sipas vlerësimit të Bordit, Fondi ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë konfirmimet për secilën profaturë nga institucionet shëndetësore përkatëse. Çështja e profaturave është adresuar tek institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Fondit.
Sipas këtij institucioni, krahas atij amerikan, spitalet që vitin e shkuar u përzgjodhën më së shpeshti nga pacientët që marrin shërbim shëndetësor përmes Programit për Trajtim Jashtë Vendi në Shqipëri, janë edhe Hygea dhe Klinika Gjermane e Syrit.
KOHA pyeti në të spitale nëse ka dallime në çmime për shërbimet që ua ofrojnë pacientëve me buxhet privat e atyre që subvencionohen nga Fondi. Në spitalin Hygea nuk kthyen përgjigje, e në Klinikën Gjermane thanë të mos ketë dallime për këto kategori.
“Çmimorja e Klinikës Gjermane të Syrit në Prishtinë me atë të Tiranës nuk kanë dallime sa i përket trajtimit të pacientëve, si privat, si përmes Fondit. Dallimi i vetëm është në shërbimin e KERATOPLASTIKËS, e që për pacientët e Shqipërisë kushton 10.000 euro kurse për të Kosovës 12.000 euro, pa marrë parasysh a e paguajnë privat apo përmes Fondit”, thuhet në përgjigjen e Klinikës Gjermane të Syrit në Prishtinë.
KOHA i kërkoi të dhëna Fondit se sa ka paguar për secilin spital, por nuk ka marrë përgjigje.