Publik në dukje, por privat në dokumente. Sheshi “Ali Ajeti” në zemër të Podujevës, i hapur për të gjithë qytetarët dhe i ndërtuar në nderim të dëshmorit, ndodhet mbi një parcelë që figuron si pronë private. Prej 19 vjetësh trashëgimtari i tokës po përballet me Komunën në gjykatë. Rasti pritet të fillojë të gjykohet për herë të katërt
Hapësira prej mbi 5 ari përdoret si shesh publik, por në dokumentet zyrtare figuron si pronë private e Faton Zeqirit. Avokati Fehmi Shala thotë se klienti i tij, Zeqiri, që 19 vjet është në betejë ligjore me Komunën për ta kthyer pronën që u nacionalizua në vitin 1975, e për të cilën nuk u kompensua asnjëherë. Ai tregon se nga 2006-a rasti është gjykuar tri herë nga shkalla e parë, ku i është dhënë të drejtë komunës. Por, po aq herë Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim dhe tash palët po përgatiten për gjykimin e katërt.
Sipas Shalës, Zeqiri është pronar i parcelës që nga 1985-ta kur e kishte trashëguar nga dajat.
“Paditësi Faton Zeqiri, pala ime, në kadastër regjistrohet si pronar që nga viti 1985, që i bie mbi dyzet vjet që është pronar dhe askush nga Komuna e Podujevës nuk ka marrë kurrfarë veprimi që ta kontestojë të drejtën e tij të pronësisë”, ka thënë Shala.
Edhe aktvendimi i Apelit përmend se në regjistra kadastralë prona është në emër të Zeqirit.
“Procedura në këtë çështje kontestimore ka filluar në vitin 2006, ku i kemi paraqitur dy lëndë, ku kemi kërkuar kthimin e tokës ose kompensimin e të njëjtës, dhe tjetra lëndë ka qenë për kompensimin e fitimit të humbur, pasi ky deri në momentin që është paraqitur padia në gjykatë, nuk ka mundur ta shfrytëzojë këtë pronë”, ka deklaruar avokati.
Shala e shtron kërkesën që kjo lëndë t’i bartet Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi konsideron që në Podujevë nuk do të gjejnë drejtësi shkaku i ndërhyrjeve politike. Ai tha se kanë bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit nga rasti.
“Për ne ka treguar që është i njëanshëm dhe do të punojë në favor të Komunës së Podujevës. Ky është mendimi jonë, sepse tash kemi bërë kërkesë edhe për përjashtimin edhe të dy gjyqtarëve të tjerë nga ky rast. Kemi arsye për të besuar se mund të jenë të njëanshëm apo të mos jenë të paanshëm”, ka theksuar avokati Shala.
Në Komunën e Podujevës që nga e enjtja nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS se çfarë do të ndodhë me pronën, a do të kompensohet, apo a janë duke përgatitur ndonjë zgjidhje për rastin.