Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një muaj mamografi falas në Spitalin e Pejës

Me rastin e shënimit të muajit tetor, si muaj i vetëdijesimit të luftës kundër kancerit të gjirit, Reparti i Radiologjisë në Spitalin Rajonal të Pejës do të ofrojë falas mamografinë për femrat mbi moshën 40-vjeçare, e sidomos ato që deri më tash nuk e kanë bërë asnjëherë këtë ekzaminim të gjirit.

Statistika të sakta në Repartin e Radiologjisë në Spitalin e Pejës për numrin e femrave të prekura nga kanceri i gjirit nuk kanë për shkak se rastet e dyshimta i dërgojmë te kirurgu torakal dhe shumë rrallë kthehen pacientet për të treguar se ka dalë ajo që kanë dyshuar radiologët, shkruan sot Koha Ditore.

“Por kemi rritje të numrit të femrave të prekura nga kanceri në gji dhe mosha mesatare e femra të prekura nga kjo sëmundje në këtë rajon është prej 40 deri në 53 vjeçe”, thotë specialistja e radiologjisë në këtë repart, Roza Kola-Hajdari, e cila e sheh të domosdoshme që femrat mbi moshën 40-vjeçare duhet ta bëjnë kontrollin e gjirit çdo vit.

Dhe ky muaj i mamografisë falas është një mundësi, siç thonë në këtë repart, që femrat ta dinë gjendjen shëndetësore të gjirit. Mamografia dhe ultrazëri i gjirit bëhen çdo ditë pune prej orës 7 deri në orën 13:00. Mirëpo edhe gjatë muajve të tjerë të vitit ka femra që vijnë vetë për këtë ekzaminim pasi, siç thotë doktoresha, ka rritje të vetëdijesimit të femrave për këto ekzaminime. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)