Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se të shtunën rreth orës 07:30 në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A.S, i lindur më 1975.
Sipas njoftimit të SHKK-së, në pranim është konstatuar se i burgosuri vuan nga sëmundje e rëndë dhe e pakthyeshme e mëlçisë, me çrregullime të mëdha të organeve tjera dhe me amputim të këmbës së majtë.
“Tërë kohën është mbajtur në Stacionarin e Burgut dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, e së fundmi edhe në Kliniken Infektive ku edhe ka ndërruar jetë. Si rast i rëndë shëndetësor, ka qenë i vaksinuar me dy doza të Vaksinës anti COVID-19! Për këtë rast është bërë edhe kërkesa për pezullim të dënimit dhe ka qenë në procedurë! A.S. po mbante dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe ishte i dënuar për veprën penale, vjedhje e rëndë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.