Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një herë ia bëri kuorumin, tash VV-ja kërkon anulimin e vendimit për këmbim pronash

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, pas raportimeve të KOHËS, ka kërkuar që të anulohet vendimi për këmbimin e pronës komunale në lagjen Prishtina e Re, ani pse me ndihmën e këtij grupi të asamblistëve qe hapur rruga për këtë vendim.

Me propozim të kryetarit Përparim Rama e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal i Prishtinës pati vendosur për këmbim të pronës komunale me atë private të dy biznesmenëve me të cilët në të kaluarën Rama ka pasur raporte kontraktuale.

Lëvizja Vetëvendosje - Qendra në Prishtinë përmes një komunikate në Facebook ka njoftuar të martën në mbrëmje se në mbledhjen e së mërkurës të Kuvendit Komunal “do të propozojë anulimin e vendimit të datës 21.12.2023 për këmbimin e pronës komunale në lagjen Prishtina e Re”

“Ftojmë të gjithë asamblistët e kryeqytetit, nga të gjitha subjektet politike, ta mbështesin propozimin tonë dhe ta stopojmë tjetërsimin e padrejtë dhe të paligjshëm të pronës publike. Përkundër faktit se ekzekutimi i vendimit është pezulluar nga niveli qendror dhe është anuluar ligjshmëria nga MAPL, vlerësojmë se është obligim ligjor e moral i Kuvendit Komunal të anuloj një vendim që është nxjerr në kundërshtim me normat ligjore, përkundër faktit se edhe në atë seancë e kemi kundërshtuar dhe kemi paralajmëruar për pasojat që sjell i njëjti”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Pas një serie raportimesh të KOHËS, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e pati quajtur “të rremë” lajmin, ani pse e pati pranuar që kanë marrë pjesë në këtë seancë.

Edhe Pushteti bojkoton seancën në të cilën do të kërkohej anulimi i vendimit për këmbim pronash Arbëri Pushteti bojkoton seancën në të cilën do të kërkohej anulimi i vendimit për këmbim pronash

KOHA ka raportuar se Kuvendi Komunal në fund të dhjetorit ka votuar pro propozimit të kryetarit Rama për të këmbyer pronë komunale te “Prishtina e Re” me pronë private të ish-klientit të Ramës sa ishte arkitekt, në Badoc. Bëhet fjalë për këmbim të një toke komunale ku lejohet ndërtimi që në çmim të tregut kap vlerën disa herë më të lartë se djerrina në Badoc ku nuk lejohet ndërtimi. Prokuroria tashmë ka nisur hetim parapenal, e Komuna është paditur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Të enjten e javës së kaluar, Ministria e Financave pezulloi ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këtë këmbim pronash, e në vendim u shpreh se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka tërhequr “konfirmimin e ligjshmërisë së lëshuar”. Megjithatë Ministria e Financave ka vazhduar që ta mbajë të fshehtë dokumentin me të cilin ua bëri atyre vlerësimin. E bazuar në llogaritjet që i ka bërë KOHA, pasi shuma është prezantuar një ditë më parë nga zyrtarë komunalë, del se kjo ministri e ka vlerësuar 4.500 euro një ar tokë komunale te “Prishtina e Re”, teksa atë private në Badoc me rreth 6.000 për ar.