Pavarësisht se janë të njohura përpjekjet për ta shpallur Kosovën republikë edhe para 17 shkurtit të 2008-ës, deri tani asnjëherë nuk kanë dalë në publik deklaratat e përgatitura të këtyre iniciativave.
Një e tillë ka qenë edhe orvatja e 13 shkurtit 2003, për të miratuar "Deklaratën për Kosovën si shtet Sovran dhe i Pavarur", që ishte rezultat i një iniciative që kishte mbledhur 42 nënshkrime deputetësh bashkë me nënshkrimet e krerëve të grupeve parlamentare.
Siç ka shpjeguar në emisionin COSMO të KTV-së, Bujar Dugolli, deputet i AAK-së atë kohë, kjo deklaratë që këtu publikohet për herë të parë, ishte përpiluar si tekst juridik nga Fehmi Baftiu sipas konceptimeve politike të tij dhe deputetëve të tjerë që kishin mbështetur këtë iniciativë.
Ndryshe nga deklarata e 17 shkurtit 2008, kjo deklaratë ka shumë më shumë referenca historike.