Ka rreth 10 vjet që gypat për projektin e ujësjellësit “Vrella” në disa fshatra të Podujevës janë vendosur, por banorët vazhdojnë të mbesin ende pa furnizim me ujë.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Zyra e kombëtare e auditorit.
Ata theksojnë se ky projekt në vlerë të 331,336 eurove, i nisur më 2019, ende nuk ka përfunduar, raporton KTV.
“Qytetarët kishin participuar me vlerë prej 70,120€, e cila shumë është duke u bartur vit pas viti, për shkak të mosrealizimit të projektit. Sipas komunës, një prej fshatrave ka krijuar pengesat për shfrytëzimin e burimit të ujit, derisa pagesat për punët e kryera në disa fshatra arrijnë vlerën e 173,000 eurove. Kjo çështje është ngritur edhe vitin e kaluar, ngase është projekt me ndikim social, vonesa e të cilit prek mirëqenien e qytetarëve të cilët kanë participuar drejtpërdrejt në zbatimin e projektit”, thuhet në raportin e Auditorit.
Banorët e fshatrave, ndonëse dhanë para për rrjet të ujësjellësit, vazhdojnë të furnizohen nga puset e tyre.
Ata thonë që është e nevojshme që ky projekt të përfundojë sa më parë.
Banorët e fshatrave Metohi, Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Pakashticë e Epërme, Pakashticë e Poshtme dhe Revuç, kishin paguar nga 150 deri në 200 euro për këtë projekt.
Kohavisioni ka kërkuar një përgjigje nga zyrtarë të Komunës së Podujevës që nga e enjtja, por ata, përmes telefonit, kanë thënë se mund të përgjigjen vetëm të hënën.