Arbëri

Procedurat e prokurimit vonojnë subvencionet për serra e bletë në Podujevë

Fermerët llapjanë ende nuk kanë arritur të përfitojnë nga subvencionet e Komunës së Podujevës për furnizimin me serra dhe shoqëri bletësh. Zyrtarët komunalë thonë se arsyet e këtyre vonesave janë procedurat e prokurimit. Në njërin tender është tërhequr operatori ekonomik, ndërsa në tjetrin, ankesat po e zvarrisin procesin.

“Sa i përket projektit të serrave është lidhur kontrata me operatorin ekonomik, por OE ka ngecur në realizimin e kontratës dhe ne si autoritet kontraktues kemi shkëputur kontratën dhe janë marrë masa konform Ligjit të prokurimit. Këto ditë pritet të rishpallet procedurë e re prokurimi”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Vlera e parashikuar për furnizim dhe montim të serrave është 117 mijë euro. Kurse për furnizim me shoqëri bletësh dhe koshere vlera e parashikuar është 52 mijë euro.

“Kurse projekti i bletarisë është në procedurë prokurimi, e cila është tejzgjatur për arsye të ankesave të operatorëve ekonomikë. Shpresojmë që shumë shpejt do të zgjidhet si procedurë prokurimi dhe do realizohet ky projekt”, ka theksuar zëdhënësi Zhitia.

Më herët Komuna e Podujevës e kishte anuluar tenderin për furnizim me motokultivatorë, pasi OSHP kishte vlerësuar se operatorët ekonomikë kanë qenë të papërgjegjshëm. Zyrtarët komunalë kishin thënë se projekti kishte qenë i vitit të kaluar dhe se sivjet nuk janë paraparë mjete për këtë projekt.