Arbëri

Procedurat e prokurimit vonojnë furnizimin me dru e pelet për shkollat e Podujevës

Komuna e Podujevës ende nuk ka arritur t’i furnizojë shkollat me lëndë djegëse për ngrohje. Zyrtarët komunalë arsyetohen se procedurat e prokurimit kanë vonuar lidhjen e kontratës për furnizim me dru dhe pelet. Në anën tjetër, drejtorë shkollash paralajmërojnë se mund të ketë telashe në procesin mësimor, nëse moti përkeqësohet dhe furnizimi me lëndë djegëse vonohet edhe me tej.

Pa lëndë djegëse kanë mbetur shumica e shkollave në Podujevë.

Megjithëse edhe pak ditë do të fillojë zyrtarisht sezoni i ngrohjes, Komuna e Podujevës nuk ka arritur t’i furnizojë 27 shkolla që ngrohen me masë drunore dhe disa të tjera me pelet.

Komunarët arsyetohen se procedurat e prokurimit kanë vonuar lidhjen e kontratës për furnizim me lëndë djegëse për këto shkolla.

“Janë shkaktuar telashe të ndryshme nga mosstabiliteti i çmimit të masës drunore në treg dhe kjo ka ndikuar që edhe të vonohen këto procedura, për shkak që operatorët të cilët kanë aplikuar për ta fituar këtë tender kanë ndërruar disa herë çmimet dhe kjo ka bërë që deri tash të mos lidhet kjo kontratë”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Shkolla fillore “Ibrahim Rugova” në qytet e përdor masën drunore si lëndë djegëse për ngrohje. Drejtori i saj, Sheqir Krasniqi, thotë se sasia e druve që kanë, nuk mjafton për të filluar sezonin e ngrohjes. Ai paralajmëron se mund të kenë telashe në procesin mësimor, në qoftë se përkeqësohet moti dhe nuk furnizohen me dru para 15 tetorit.

“Kemi biseduar edhe me Drejtorinë Komunale, duke e pasur parasysh që po afrohemi në sezonin kur parashihet të fillojë sezoni i ngrohjes së objektit dhe na kanë premtuar që do të kemi furnizim me kohë me lëndë djegëse në kohën e duhur. Por, nëse ka vonesa sigurisht që paraqiten vështirësi, edhe kjo krejtësisht varet prej gjendjes së motit. Nëse ka rënie të temperaturave, do të ketë vështirësi, por po besoj që do të furnizohemi me kohë ashtu siç na kanë premtuar dhe nuk do të ketë pengesa në procesin mësimor”, ka thënë ai.

Krasniqi ka theksuar se tash për tash procesi mësimor po zhvillohet normalisht, pasi moti ende është i ngrohtë.

Ndërkohë, zyrtarët komunalë besojnë se këto ditë do të lidhet kontrata dhe shkollat e Podujevës do të furnizohen me lëndë djegëse për ngrohje.