Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i ka shpallur zgjedhjet e brendshme, një anëtar i saj ka shprehur interesim për ta drejtuar atë. Florim Zeqa, që thotë se është pjesë e LDK-së që nga themelimi i saj, shpreson se kandidatura e tij do të përkrahet nga delegatët e LDK-së. E në këtë parti politike nuk janë deklaruar në lidhje me kandidaturën e shpallur të Zeqës e as të të tjerave eventuale
Drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rënies në rreth 13 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit, po e synon anëtari i saj, Florim Zeqa.
Ai ka thënë se është pjesë e LDK-së që nga themelimi e se për më shumë se 30 vjet jeton në Itali. Vendimin për t’iu futur garës për kryetar të LDK-së, Zeqa thotë se nuk e ka marrë për ambicie personale, por nga dëshira që ta ngre partinë, siç ka thënë ai, aty ku e ka vendin në skenën politike.
“Për ta kthyer LDK-në kah e mbara dhe për ta kthyer në përgjithësi politikëbërjen në rrugë të mbarë, ngase jemi të gjithë dëshmitarë që viteve të fundit politika në Kosovë nuk është duke ecur në binarë të shëndoshë, megjithëse edhe përkundër ndryshimeve në skenën politike prapëseprapë Kosovës i duhet, për asgjë tjetër, ta ketë edhe një opozitë të fuqishme për momentin, e cila po i mungon skenës parlamentare”, ka deklaruar ai për KOHËN të martën.
Kandidaturën “e ka shpallur” një ditë më parë, të hënën, në një postim në Facebook.
Zeqa është shprehur se është i vetëdijshëm që kandidimi për kryetar është sfidë “tepër e madhe, e mundimshme” por, sipas tij, jo e pamundur.
“Jam shtyrë drejt këtij vendimi shkaku i katandisjes në vijimësi të subjektit më të vjetër politik të skenës parlamentare të Kosovës, por edhe të skenës politike në tërësi në trojet shqiptare, pra i LDK-së, e cila derisa ishte gjallë i ndjeri, lideri historik Ibrahim Rugova, LDK-ja ishte në rrugë të mbarë”, ka thënë ai.
Synimin e tij që të jetë kandidat për kryetar Zeqa ka thënë se ia ka përcjellë edhe kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, pastaj strukturave drejtuese në qendër e atyre në Klinë, prej nga vjen.
Por, nuk ka marrë përgjigje.
“Jo, deri më tani nuk kam marrë përgjigje prej askujt. Atë që e kam marrë është një mbështetje, nuk e kam pritur, e kam marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga elektorati...”, ka thënë ai.
Në ditën e zgjedhjeve, pas shpalosjes së rezultatit preliminar, Abdixhiku ka paralajmëruar se do ta thërrasë mbledhjen e Kuvendit të LDK-së por, një javë pas, nga kjo parti ende nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku mbrëmjen e 28 dhjetorit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, nga numërimi i rreth 98 për qind të vendvotimeve, ka marrë 123 mijë e 783 vota apo 13.31%. Nëse përkthehet në ulëse në Kuvend, në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja pritet t’i ketë 14 deputetë apo gjashtë më pak se që ka pasur në legjislaturën paraprake, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ndonëse ka thënë se nuk ka marrë asnjë mbështetje nga anëtarë të LDK-së, Zeqa mbetet me shpresën se kandidatura e tij, kurdo që shpallen zgjedhjet e brendshme, do të përkrahet.
“Mbetem me shpresën që do të ketë, do të mbizotërojë vetëdija e delegatëve pjesëmarrës në Kuvend dhe do ta marrin hapin e duhur dhe t’ ju japin njëherë e mirë fund ndasive dhe përçarjeve, klaneve dhe grupeve të interesit që e kanë përcjellë në vijimësi LDK-në duke e dëmtuar, duke e damkosur deri në nivel më të ulët të mundshëm që e ka arritur tani”, ka thënë ai.
Në lidhje me shprehjen e interesimit nga Zeqa, KOHA ka dërguar pyetje në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por të martën nuk ka marrë përgjigje. Pyetjeve në lidhje me kandidaturat nuk u janë përgjigjur as nënkryetarët e LDK-së: Anton Quni, Doarsa Kica-Xhelili, Gazmend Muhaxheri, Hykmete Bajrami e Lutfi Haziri.
Sipas statutit të LDK-së, anëtari i saj, mes tjerash, ka të drejtë “të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur në organet e LDK-së”. Në këtë dokument theksohet se secila kandidaturë për kryetar duhet të miratohet me 50% +1 votë të delegatëve të pranishëm në kuvendin e partisë.