Gjakovë, 2 shtator - Kanë nisur punimet në rrugën “Bujar Roka” në Gjakovë, një investim 3.5 milionë eurosh nga Qeveria, tashmë në dorëheqje, e Kosovës. Në fillimin e punëve merrte pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Me këtë rast ai u tha banorëve të Gjakovës se vazhdojnë të kenë plagë të hapura nga lufta dhe se këtë që po bën qeveria ata e meritojnë.
Duke theksuar se zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë është një projekt i madh, sepse pa infrastrukturë nuk ka zhvillim ekonomik dhe vende të punës, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se më në fund po vendoset e drejta për Gjakovën.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se sot po bëhet realitet projekti për zgjerimin e kësaj rruge, ashtu siç do të bëhet realitet edhe Autostrada e Dukagjinit.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, vlerësoi këtë si ditë të jashtëzakonshme për qytetarët e kësaj komune.