Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nisin punimet e asfaltimit të rrugëve në fshatin Poterçë të Klinës

Në fshatin Poterçë të Komunës së Klinës të mërkurën kanë nisur punimet ndërtuese për asfaltimin e rrugës, e gjatë mbi 5.7 kilometra. Ky projekt në vlerë prej mbi 258 mijë eurosh po bashkëfinancohet nga Komuna e Klinës dhe Ministria e Infrastrukturës.

Sipas marrëveshjes në mes Komunës dhe operatorit, plani për implementimin e këtij projekti është 89 ditë pune. Investimet në infrastrukturën rrugore, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj i vlerësoi si investime shumë të rëndësishme, sa u përket funksionalitetit dhe detyrimeve për të krijuar kushte më të mira për qytetarët dhe lehtësimin e qarkullimit, shkruan sot Koha Ditore.

Asfaltimi i kësaj rruge ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të këtij fshati. Kjo rrugë deri me tash ka qenë tepër në gjendje të keqe dhe ka shkaktuar telashe të mëdha në lëvizje të banorëve, sidomos gjatë stinës së dimrit. Sipas Komunës së Klinës, në këtë fshat që nga paslufta e deri tash nuk ka pasur investime infrastrukturore.