Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani mori pjesë në kremtimet e Ditës së Komunës së Ulqinit, për nder të së cilës u mbajt një seancë solemne e Kuvendin Komunal të Ulqinit në Qendrën për Kulturën, ku të i pranishëm ishte edhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, Kryetari i Komunës Nazif Cungu, Kryetari i Kuvendit Komunal Loro Ndrekiqi, ministra të qeverisë së Malit të Zi dhe nga Kosova, Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, autoritete vendore, drejtues të besimeve fetare, ulqinakë të ardhur nga Durrësi si dhe shumë qytetarë.
Të mikpritur nga kryetari komunal Loro Ndrekiqi dhe kryetari i Komunës Nazif Cungu, të dy Presidentët morën pjesë dhe përshëndetën veprimtarinë festive që u mbajt në Qendrën e Kulturës me rastin e Ditës së Ulqinit, gjatë së cilët kënduan dhe luajtën mjeshtërisht disa artistë të shquar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia.
Në përfundim, presidenti Nishani, para mediave të pranishme, tha se ishte kënaqësi, por edhe privilegj që ishte i ftuar në Ditën e Ulqinit, ndërsa falënderoi autoritetet vendore, Kryetarin Cungu dhe të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit për ftesën që i kishin bërë për, siç tha ai, “të qenë së bashku me ta në këtë ditë feste dhe gëzimi”, raporton Koha.net.
“Ishte një kënaqësi edhe më e veçantë pjesëmarrja në këtë festë e Presidentit Vujanoviq. Gjej rastin edhe njëherë të uroj të gjithë qytetarët: Gëzuar Ditën e Ulqinit! Gëzuar këtë festë! Ditë më të mbara e më të mira për të gjithë qytetarët e Ulqinit dhe të Malit të Zi! Njëkohësisht i shpreha Presidentit Vujanoviq vlerësimet e mia më të mira për respektin që autoritetet, shteti i Malit të Zi u adreson shqiptarëve në Malin e Zi. Jam i bindur gjithashtu se shqiptarët e Malit të Zi, si deri më tani, do të vazhdojnë të jenë kontribuues të rëndësishëm të shtetit e vendit të tyre dhe duke e adresuar Malin e Zi në të gjitha proceset e integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht gjej rastin të falënderoj shqiptarët në Mal të Zi për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që vazhdojnë të bëjnë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë dhe identitetit të tyre kombëtar”, u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.