Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Kryeprokurori Blerim Isufaj ka konfirmuar se hetimet kanë nisur për këtë çështje.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se të mërkurën është informuar për zhdukjen e mostrave nga Laboratori i toksikologjisë.
Në konferencë të jashtëzakonshme ka thënë se i di emrat e personave që kanë qasje në këtë laborator, por nuk i ka treguar.
Sipas saj, në laborator kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit janë zhdukur.
Megjithatë, nuk dihet se kur mund të jenë marrë këto mostra, pasi mostrat nuk kontrollohen pos kur një prokuror i kërkon dhe ato nuk janë shikuar që prej tetorit të vitit të kaluar.