Arbëri

Nis ndërtimi i Stacionit të Autobusëve në Podujevë

Është vënë gurthemeli i Stacionit të ri të Autobusëve në Podujevë. Të premten gjatë kësaj ceremonie, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se ky stacion do të shërbejë edhe për linjat ndërkombëtare që e shfrytëzojnë pikën kufitare në Merdar.

“Ky projekt është në vazhdën e aryre premtimeve që po i realizojmë. Ky stacion do të na ndihmojë që të bëjmë organizimin e trafikut urban dhe po ashtu të gjitha linjat ndërkombëtare këtu do ta kenë vendndaljen dhe nga këtu do të nisen për linjat ndërkombëtare. Realizimi i këtij projekti do të bëhet ashtu siç e kemi planifikuar”, ka thënë Shpejtim Bulliqi.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka thënë se synim kanë që të bëjnë balancimin e projekteve nëpër komuna.

“Kam kënaqësinë që të jem prezent në fillimin e këtij projekti. Ne si Ministri kemi pas qëllim që të balancojmë projektet në Kosovë dhe do të kemi barazi në projekte nëpër komuna. Ne si Ministri kemi për synim që të ndërtojmë kapacitetet nëpër komuna që ndihmojnë në zhvillimin e tyre”, është shprehur Fikrim Damka.

Ndërkohë, zvëvendësiministri për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se do të investojnë edhe ata si ministri në këtë projekt.

“Edhe ne si Ministri kemi ndarë një kod buxhetor për këtë projekt. Do të shohim mundësinë ta rrisim këtë buxhet. Ne fillimisht kemi ndarë 60 mijë euro. Në aspektin e financiar nuk do të ketë asnjë problem për realizimin e këtij projekti”, ka theksuar Durmishi.

Ai ka folur edhe për amandamentet që ishin propozuar dje për ndarjen e mjeteve shtesë për rrugën Podujevë-Prishtinë e që nuk u votuan në Buxhetin për vitin 2023. Ka thënë se ka pasur telashe me shpronësime dhe se janë duke e përgatitur projektin për komplet këtë rrugë. Sipas tij, varësisht prej dinamikës së punimeve do të ndajnë edhe mjete tjera.