Efektet e nënshkrimit të një protokolli në mes të Kosovës e Shqipërisë për kalim të lehtësuar të kufirit të shtunën janë vërejtur në terren. Maksimumi i pritjes së këtyre veturave ishte më pak se një minutë. Kufirin e ka kaluar ekipi i KOHËS, të cilit polici kufitar i Shqipërisë iu drejtua thjesht me fjalën “ec”, pa i kërkuar dokumentet identifikuese.
Të kënaqur janë shprehur qytetarët nga Kosova e Shqipëria, që udhëtojnë shpesh në këto vende, qoftë për punë, apo për rekreacion.
Mirjet Badalli (18) nga Zhuri i Prizrenit ka thënë se e kalon shpesh kufirin, pasi punon në Shqipëri. I kënaqur është shprehur për lehtësimin e kalimit të kufirit.
“E kalojmë kufirin shpeshherë, punojmë me ujë e me ngrohje (v.j. në Shqipëri), por tash zakonisht e kemi më lehtë. Kalojmë më kollaj, nuk presim”, ka thënë Badalli.
Të shpeshta i ka kalimet e këtij kufiri edhe 47-vjeçari Lindor Gjona nga Tirana, që është pjesëtar i klubit të motoristëve “Angles”. Pritjet në të kaluarën, sipas tij, ishin të gjata.
“Kam pritur shumë, ka pasur shumë radhë të gjata, kontrolle, kurse tani janë shumë, shumë të thjeshtuara. Është shumë shumë mirë dhe na pëlqen të vijmë në Kosovë. Në Prishtinë, Ferizaj, Prizren. Sot jemi në Prizren, se kemi festë motorësh”, është shprehur Gjona.
Ndryshim të vogël ka vërejtur edhe shtetasi i Kosovës Faton Mecinaj, porse në të kaluarën nuk ka pasur pritje të gjata në kufi.
“Bajagi shpesh kaloj në këtë kufi, sot m’u duk pak më shpejt shkoi procedura, por edhe herëve të tjera nuk është se ka pasur ndonjë vështirësi kushedi se çfarë”, ka thënë Mecinaj.
Por të gjata i ka pasur pritjet një shtetas tjetër i Kosovës, Xhavit Bejtullahi, i cili e ka mirëpritur zbatimin e protokollit që e kanë lidhur Kosova dhe Shqipëria.
“Ç’të të them... herë-herë kemi pritur gjysmë ore, ka pasur raste edhe dy orë. Shumë më mirë”, ka thënë Bejtullahi.
Ukë Dodajt, nga Gjakova, që ishte nisur të shkonte në banesën e tij në Durrës, ia dha një ndjenjë të bashkimit.
“Kam shtëpi edhe në Durrës, në plazh. Unë kaloj shpesh këtu, po e shoh diçka ma mirë, diçka si më afër mes vete. Si një komb, është gjë e mrekullueshme”, ka thënë Dodaj.
Këtë javë u nënshkrua marrëveshja mes ministrave të Brendshëm të Kosovës e Shqipërisë për lehtësim të lëvizjes. Me këtë rast dy vendet u dakorduan për heqjen e ndalesave gjatë verës, fundjavave dhe festave zyrtare.
Më insistues e ironizues për zbatimin e tij gjatë verës ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që i ka shtruar disa pyetjet ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e përfshirë atë se si do të shkojë kalimi i kufirit për ata që duan të shkojnë në plazh në Shqipëri.
“Herën e fundit kur isha në Shqipëri, para ca ditësh, polici kufitar në Vërmicë më uroi rrugë të mbarë”, i ishte përgjigjur Sveçla.
Me ironi ishte përgjigjur Rama, duke pyetur edhe nëse mund të kishte kontrolle të rastësishme të rralla në bazë të protokollit.
“A mund t’ua kurseni edhe këtë urim qytetarëve dhe ata kur të kalojnë të mos kenë fare policë aty që t’i urojnë dhe të ketë thjesht ndalime të rastësishme, të themi për çdo 500 makina?”, kishte pyetur Rama. Ndërsa ministri i MPB-së së Kosovës i kishte thënë se këtë ia mundëson protokolli i nënshkruar.
Një protokoll tjetër nga totali i 19 marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive ua mundëson banorëve të brezit kufitar, që janë 30 kilometra larg kufirit nga të dyja anët, ta kalojnë atë vetëm me leje kalimi të kufirit. Protokolli lehtësues për brezin kufitar prek Gjakovën, Prizrenin, Deçanin, Junikun, Dragashin e Rahovecin në Kosovë, si dhe Kukësin, Bajram Currin e Krumën në Shqipëri.