Qeveria në detyrë e ka zgjatur përsëri periudhën informuese për zbatimin e disa dispozitave të ligjit për të huajt dhe atij për automjetet. Zbatimi i këtyre ligjeve ishte shtyrë herën e fundit nga nëntori deri më 15 janar. Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka paralajmëruar edhe integrimin e sistemit arsimor e shëndetësor që aktualisht funksionon në sistem të Serbisë.
Personat që mbajnë vetura me targa të huaja në Kosovë nuk do të gjobiten nëse e tejkalojnë kufirin ligjor tremujor të qëndrimit në vend, siç parasheh Ligji për Automjetet.
E shtetasit e huaj që qëndrojnë më gjatë në Kosovë nuk janë të obliguar të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orësh që nga hyrja, siç parashihet në Ligjin për të Huajt.
Qeveria në detyrë ka vendosur që ta zgjasë fushatën informuese përsëri.
Mbrëmjen e së enjtes përmes një postimi në Facebook, për shtyrjen e afatit njoftoi zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi.
“Nga dita e nesërme fillon zbatimi i ligjit për të huajt dhe ligjit për automjetet. Në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues rreth procedurave dhe rregullave specifike, dhe kjo periudhë do të zgjasë deri më datën 15 mars”, ka shkruar ai.
Bislimi ka njoftuar se pas mesit të marsit do të ketë zbatim të plotë, tek paralajmëroi edhe integrimin e sistemit arsimor e shëndetësor që aktualisht funksionon në sistem të Serbisë.
“Pas kësaj fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartpërmendura. Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të përdoret maksimalisht për të filluar me procesin e integrimit përmbajtjesor të sistemit shëndetësor dhe atë të arsimit në gjithë territorin e vendit”, ka shkruar Bislimi.
Derisa në shumicën e qyteteve të Kosovës janë më të shpeshta targat e Shqipërisë dhe Maqedonisë, në komunat në veri të vendit targa të huaja më të shpeshta janë ato të Serbisë.
Serbia dhe Lista Serbe kanë kundërshtuar zbatimin e këtyre ligjeve dhe i kanë shprehur brengat e tyre edhe te bashkësia ndërkombëtare.
Herën e kaluar, Qeveria e shtyu zbatimin e ligjit për të huajt dhe atij për automjetet nga nëntori deri më 15 janar.