Arbëri

Nis seanca për 11 të arrestuarit në rastin “Subvencioni 2021”

Në orën 10:00 ka nisur seanca gjyqësore për caktimin e paraburgimit për 11 personat e arrestuar në rastin “Subvencioni 2021”.

Seanca po mbahet në Prishtinë, pa praninë e mediave.

Të dyshuarit dhe avokatët e tyre në këtë seancë kanë mundësi të kundërshtojnë pretendimet e prokurorisë për masë të arrestit.

Shumica e të arrestuarve siç ka raportuar KOHA ishin mbrojtur në heshtje ditën e arrestimit.

Aksioni për arrestimin e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, u zhvillua të mërkurën, në disa qytete.

U ndaluan 12 persona, por u mbajtën vetëm 11. Gjatë aksionit, ndër të tjera u konfiskuan edhe rreth 400 mijë euro, në shtëpitë e të ndaluarve.

Prokuroria ka iniciuar rastin me dyshimin për keqpërdorime të granteve bujqësore. Për këtë, të enjten janë ndaluar edhe 9 fermerë që dyshohet se kishin dhënë ryshfet për marrje të subvencioneve, por ata u liruan, meqë pranuan të bashkëpunojnë me drejtësinë.