Arbëri

Nis seanca gjyqësore ndaj ish-sekretarit të MI-së dhe tre zyrtarëve të tjerë

Ka nisur seanca gjyqësore kundër ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Ndaj ish-sekretarit ishin ngritur dyshime lidhur me kontratat për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Policia gjatë hetimit kishte gjetur shkelje të ligjit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës në tenderin milionësh për ndërtimin e kësaj autostrade.

Mbrojtësi i Reçicës, Florin Vertopi, ka kërkuar nga gjyqtari Musa Kongjeli që seanca të shtyhet pasi thotë se nuk i kanë marrë shkresat e rastit. Arsyetimi i tij ka qenë që gjykimi nuk mund të fillojë pa i pranuar provat.

Në aktakuzë janë propozuar të dëgjohen 15 dëshmitarë dhe të administrohen 23 prova derisa nga aktakuza shihet se nuk është dorëzuar të shqyrtohet si provë dosja e tenderit.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Habibe Salihu, ka thënë që të gjthë të akuzuarit janë njoftuar t’i marrin provat dhe disa prej tyre i kanë tërhequr.