Arbëri

Nis “samiti virtual” i Parisit

“Samiti virtual” mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbahet në orën 10:30, është bërë e ditur nga Kryeministria.

Nga presidenca franceze është thënë se se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.

Përgatitja e terrenit për t’u rikthyer në tryezën e negociatave në funksion të arritjes së një marrëveshjeje, ka nisur nga Parisi. Kryeministri Hoti është pritur të martën nga Macroni. Pas tij, në Paris ka shkuar edhe Vuçiqi.

Ndërkaq më 12 korrik Hoti do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin me kryetarin e Serbisë, takim ky që do të ndërmjetësohet nga Borrelli dhe nga emisari për dialogun Miroslav Lajçak.

Zyrtarë të BE-së kanë thënë se do të tentohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.