Pak ditë pas raportimit të KTV-së për vonesat në fillimin punimeve për rrënimin e objektit të çerdhes “Yllkat”, për të liruar vendin për objektin e ri, aktivizohet Komuna e Prishtinës.
Vendimi për rrënimin e këtij objekti, i cili sipas ekspertëve të komunës paraqiste rrezik për shkak të çarjeve/plasaritjeve në mure, ishte marrë në javën e dytë të muajit shkurt. Më 15 shkurt, drejtori i Arsimit, Jonuz Salihaj, kishte premtuar se objekti i ri do të jetë i gatshëm në shtator të këtij viti.
Megjithatë, gjasat që punimet të përfundojnë në shtator janë të vogla, pasi sipas MASHT-it, ende nuk është finalizuar plan-projekti. Po ashtu, që ky projekt të përfundojë më shpejtë, duhet kontraktim me procedura të përshpejtuara dhe që Qeveria të ndaj mjete për një gjë të tillë.
Nga fundi i shkurtit, rreth 200 fëmijë të këtij institucioni janë ndarë në 7 grupe në po aq çerdhe në lagje të ndryshme të kryeqytetit – dhe do të vazhdojnë kështu deri në përfundimin e objektit.