Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që çerdhja “Yllkat” në lagjen Vellusha të rrënohet dhe rindërtohet. Kjo për shkak se gjatë një vizitë që i ka bërë një komision i formuar nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, janë vërejtur disa plasaritje në objekt.
Gjatë kontrollimit, inxhinierët kanë vërejtur se ky objekt tashmë është shumë i dëmtuar, dhe se paraqet rrezik për fëmijët dhe stafin e çerdhes. Në disa pjesë të themeleve, janë vërejtur plasaritje të theksuara, kurse brenda objektit plasaritjet janë edhe më të thella dhe janë horizontale, gjë që dëshmon se themelet e objektit “kanë fjetur”.
Në njërën prej dhomave të fëmijëve ka lëvizur pllaka e dyshemesë. Kësisoj, komisioni i përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, ka vlerësuar se “Dëmtimet në këtë objekt janë jashtëzakonisht të mëdha, andaj propozojmë që urgjentisht të merren masat si preventivë – largimi i fëmijëve dhe personelit me qëllim të evitimit të pasojave eventuale”.
Bazuar në këtë vlerësim të komisionit, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i largojë fëmijët dhe stafin nga ajo çerdhe, dhe t’i zhvendosë përkohësisht në çerdhe të tjera, në konsultim edhe me prindërit dhe grupet e interesit.
Objekti çerdhes “Yllkat” do të rrënohet, dhe do të ndërtohet një çerdhe e re në këtë lagje.
Edhe
Të zhgënjyer me Komunën e Prishtinës janë prindërit që prisnin në shtator të kryhej çerdhja “Yllkat”
Objekti i kësaj çerdheje është ndërtuar në vitin 1984, dhe ka kapacitet për 220 fëmijë.
Komuna nuk ka bërë me dije se kur do të bëhet rrënimi, kur do të nis rindërtimi e as kur pritet të përfundojë ndërtimi i objektit të ri.