Në Rashkë ka nisur takimi i drejtorit të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, raporton “Kosovo Online”.
Në takim me Petkoviqin është kryetari i Listës Serbe dhe ministri për Komunitete e Kthim i Kosovës, Goran Rakiq, si dhe nënkryetarët e Listës Serbe, Igor Simiq e Dalibor Jevtiq.
Takimi është mbyllur për publikun dhe mediat janë lejuar vetëm të bëjnë foto nga fillimi i takimit.
Ky takim po mbahet vetëm pak orë para fillimit të masave të reciprocitetit, ku qytetarëve me letërnjoftime të Serbisë do t’u dorëzohet një dokument në hyrje dhe dalje nga vendi, ngjashëm siç ndodh me qytetarët e Kosovës kur futen në territorin e Serbisë.
Po ashtu nga nesër fillon periudha e regjistrimit të veturave me targa ilegale, për t’i kthyer ato me targa RKS.
Petkoviq dje tha se serbët do të kërkojnë të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar sot situatën mjaft të rëndë për qytetarët serbë në Kosovë.