Arbëri

Nis grumbullimi i mbeturinave në Prishtinë, Musliu: Po përdoren kontratat e mirëmbajtjes dimërore

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka njoftuar se ka filluar grumbullimi i mbeturinave në kryeqytet.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se pret që të arrihet një marrëveshje midis menaxhmetit të ndërmarrjes “Pastrimi” dhe punëtorëve.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar grumbullimin e mbeturinave në Kryeqytet. Në të njëjtën kohë, shpresojmë që të arrihet marrëveshja në mes të Menaxhmentit/Bordit të ndërmarrjes “Pastrimi” dhe Sindikatës”, ka shkruar ai.

I pyetur nga KOHA se si do të bëhet mbledhja e mbeturinave pasi ndërmarrja është në grevë, Musliu ka thënë “kemi reaguar me kontratat e mirëmbajtjes dimërore”.

Prej dy ditësh mbeturinat nëpër kontejnerët e rrugëve të Prishtinës nuk janë larguar nga kompania “Pastrimi”, punëtorët e së cilës që nga e hëna kanë hyrë në grevë, me kërkesën për rritje pagash.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se autoritetet komunale janë të angazhuara për të gjetur një zgjidhje dhe ka kërkuar falje nga qytetarët për shqetësimin e krijuar.

“Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti”, ka shkruar Rama në Facebook të martën.

Tash e sa vjet, Komuna e Prishtinës mbledh borxhin për mbeturinat nga qytetarët, ndërkohë ajo e paguan ndërmarrjen “Pastrimi” për mbledhjen e tyre.