Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nikolla: Escobari tha se SHBA-ja është vendi më prokosovar në botë

Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja është vendi më prokosovar në botë.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se është takuar të mërkurën me Escobarin në Departamentin e Shtetit.

“Z.Escobar e cilësoi SHBA-në si vendi më prokosovar në botë dhe theksoi se është e vendosur për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

Nikolla më tej ka thënë se SHBA-ja ka dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe “njohin përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt”.

“Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj. SHBA-ja mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja, po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën. Dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë në rajon”, ka shtuar ajo.