Një grup alpinistësh italianë, ndër më të njohurit e këtij vendi, për një javë (3-11 qershor) kanë qëndruar në Pejë dhe vizita e tyre kishte qëllime të shumëfishta, ka bërë të ditur të hënën klubi "Marimangat e Pejës", përmes një njoftimi.
Alpinistët italianë, sipas njoftimit, kanë hapur vija të reja për ngjitje në faqet e shkëmbinjve në Pejë, kanë bërë ngjitje direkte dhe kanë trajnuar të rinjtë e interesuar. Po ashtu kanë xhiruar një dokumentar për atraksionet që ofron kjo anë, e cili do të shfaqet në festivalet e ndryshme në Itali.
Federica Mingola, e cila është një ngjitëse profesionale dhe me famë botërore, u shpreh e mahnitur me Grykën e Rugovës, e cila sipas saj është një parajsë për ngjitje dhe ofron mundësi të shumta për të gjitha nivelet e ngjitjes, duke filluar nga ato amatore e deri tek ato profesionale.
“Ky vend shumë shpejt mund të shndërrohet në një destinacion me interes botëror për ngjitje dhe do të hyjë në hartat botërore të ngjitjes. Tani jemi duke e zhvilluar edhe një dokumentar, përmes të cilit do ta bëjmë promovimin dhe do të ndikojmë që Peja dhe ngjitja në Pejë të njihet edhe në nivel ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Luca Andreozzi, po ashtu bën pjesë në elitën e ngjitësve në Itali. Është edhe trajner i ngjitjes në Firence. Ai tha se ka parë vullnet të madh të të rinjve të cilët dëshirojnë të përfshihen në ngjitje.
Në fakt, ngjitja ka kohë që praktikohet në Pejë. Aktualisht janë katër shtigje për ecje në shkallë të hekurt, të njohura si “Via Ferrata”, pastaj shumë vija për ngjitje vertikale në faqet e shkëmbinjve, “Zip-Line” e shumë mundësi të tjera.
Gjithçka nisi më 2002, po ashtu falë një italiani - Mauro Barizone. Ai trajnoi disa pejanë për ngjitje e hapje të shtigjeve që më vonë këtë e përcollën te gjeneratat e tjera dhe tash shumë turistë vizitojnë Pejën për atë që ofron. Ekziston edhe klubi “Marimangat e Pejës”.
“Nga pjesëmarrësit Italianë kemi pasur përfitime të mëdha për sportin e ngjitjes, njohuri për teknika të reja të ngjitjes, zhvillimin e ushtrimeve, përfitim në pajisje si dhe së bashku, që është më e rëndësishmja, do ta promovojmë Pejën si destinacion i ngjitjes dhe i turizmit të aventurës përmes dokumentarit”, tha Nol Krasniqi, nga klubi “Marimangat e Pejës”.
{gallery}