Një minutë e pak lëshim, por kujtime e adrenalinë pa fund.
Sezoni i atraksionit “Zip Line” në Grykën e Rugovës ka nisur duke ofruar aventura të paharruara për vizitorët.
Litari i hekurt që mundëson këtë lëshim mbi rrjedhën e Lumbardhit është i gjatë 650 metra dhe i gjithë lëshimi zgjatë afërsisht 80 sekonda, varësisht nga pesha.
Zip Line është i vendosur vetëm katër kilometra nga qendra e qytetit të Pejës.
Tomor Dreshaj, i angazhuar të mirëpresë e të trajnojë vizitorët, tregon për procedurat që duhet ndjekur.
Vizitorët ndahen të kënaqur nga aventura që dhuron “Zip Line”.
Ai thotë se shumica e turisteve kërkojnë më shumë se një herë të lëshohen në Zip Line.
“Tash e 10 ditë është bërë hapja e sezonit, kemi pasë klientë të ndryshëm, edhe nga Evropa. Çdokush që dëshiron ta provojë zip linë, unë si pjesë e stafit i mirëpres. Fatmirësisht këto ditët e para kanë filluar shumë mirë, ka turistë që kanë dëshirë me provuar zip line për herë të dytë. Fillestarëve ne u rekomandojmë që t’i ndjekin këshillat tona, ndërsa rrezikshmëri të theksuar nuk ka, pasi që pajisjet janë adekuate për sigurinë e çdo personi”, tha ai.
Dreshaj fton vizitorët të shijojnë adrenalinën që ofron Zip-Line, pasi, sipas tij, një i tillë nuk gjendet as në rajon.
“Pasi që vendet fqinje nuk e kanë një zip line të tillë, kjo është edhe arsyeja që edhe turistët i frekuentojnë më shumë bukuritë e rralla të Rugovës, e cila është një kanion ndër më të bukurit në rajon dhe shpresoj që këtë vit të ketë sa më shumë turistë”, pohoi Dreshaj.
Pos Zip-line, në Grykën e Rugovës ofrohen edhe shumë atraksione të tjera që kanë të bëjnë me alpinizmin. Më të njohurat janë ngjitja faqeve të shkëmbinjve përmes shkallëve të hekurta, të njohura si Via Ferrata.