Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, ka paralajmëruar se të premten do të mbahet një protestë para Prokurorisë Speciale për të “kërkuar drejtësi” për vdekjen e Deharit.
Më 5 nëntor bëhen shtatë vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në qelinë e burgut në Prizren. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Sipas avokatit Gashi, protesta do të mbahet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë për ta trajtuar rastin e Deharit.
“U bën shtatë vjet nga vrasja e Astritit dhe Prokuroria nuk do ta sheh të vërtetën. Protesta do të mbahet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë në hetimin e vrasjes së aktivistit të Vetëvendosjes”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë.
Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), të cilët më pas u kthyen në punë. Por se kush i zhduki mostrat, nuk dihet ende.
-
Policia nis hetimet për dëmtim të varrit të aktivistit të LVV-së
-
Policia po e heton dëmtimin e varrit të Astrit Deharit
-
Dëmtohet varri i Astrit Deharit
-
Kurti për Deharin: Punën e drejtësisë s’mund ta bëjmë, 9 vjet janë tepër shumë pa të vërtetën
-
Nis gjykimi për vrasjen e dy vjetëve më parë në “Aktash”, dy të akuzuarit në arrati