Arbëri

Nesër priten diskutime për draft-statutin e Asociacionit që Kurti nuk e ka parë

Albin Kurti – Aleksandar Vuçiq – Dialogu Kosovë-Serbi – Josep Borrell – Miroslav Lajçak

Foto: Arkiv

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe pritet të jetë tema kryesore në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të martën në Bruksel. Në prag të takimit, Kurti ka deklaruar se nuk e di çfarë drafti për Asociacionin do ta prezantojë Bashkimi Evropian teksa është zotuar se nuk do t’i jepet kurrfarë pushteti ekzekutiv komunitetit serb në Kosovë. Marrë parasysh qëndrimet e palëve rreth Asociacionit, njohës të zhvillimeve presin mospajtime të forta në takimin e së martës

Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit dhe drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin e së martës në Bruksel. Ky do të jetë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, pas marrëveshjes së Ohrit.

Në prag të takimit, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar Kurtin në Greqi për të diskutuar rreth detajeve të takimit. Diplomati sllovak e ka përshkruar takimin e 2 majit si veçanërisht të rëndësishëm.

“Me t’u kthyer në Bruksel pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta me socialdemokratët në Parlamentin Evropian, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë dhe ndërveprojnë me Ballkanin. Dhe e mbylla javën time me diell, ku mora pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit në qytetin antik të Delfit. Greqia, si një fqinj i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin dhe prandaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes së rajonit”, ka shkruar Lajçak në Facebook. “E informova mikun tim të mirë, ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias për zhvillimet e fundit të dialogu. U takova me kryeministrin Albin Kurti për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”.

Lidhur me draftin, që është paralajmëruar të prezantohet të martën, kryeministri Kurti ka thënë për mediumin kroat “Hina” se nuk e ka parë atë.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka shprehur synimin për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, por siç ka thënë, jo duke i dhënë kompetenca ekzekutive komunitetit serb në Kosovë.

“Vendi ynë, megjithatë, është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorializimin në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës. Sovraniteti dhe integriteti territorial janë diçka që nuk guxojnë të cenohen. Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t'i japim pushtetin ekzekutiv komunitetit lokal, sepse pushteti ekzekutiv u takon qeverisë dhe komunave”, ka theksuar ai.

E zyrtarët serbë kanë deklaruar se Kurti sërish do t’i shmanget temës së Asociacionit, për të cilin insistojnë që udhërrëfyes të jenë marrëveshjet nga dialogu i kaluar. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka akuzuar Kurtin se çdo ditë krijon kriza të reja, me qëllim që ta largojë vëmendjen te problemet në terren, “për të ardhur në përfundim se ende nuk ka kushte për formimin e Asociacionit”.

“Ata sigurisht presin që serbët të dëbohen dhe të mos ketë nevojë për Asociacionin e Komunave Serbe. Serbia ka qëndrim të prerë. Ne do të jemi me popullin tonë në Kosovë. Para takimit të nesërm, një gjë është e sigurt - Serbia do të jetë konstruktive dhe presidenti Vuçiq është i gatshëm për atë takim”, ka potencuar Daçiq. “Ka vetëm dy gjëra në planin e zbatimit që janë përmendur konkretisht në fillim - Asociacioni dhe deklarata për personat e zhdukur. Këto do të jenë, siç më tha presidenti Vuçiq, temat kryesore. Në këtë moment është vërtet shumë e vështirë të thuhet se si dhe me çfarë dinamike do të shkojë e gjitha. Por kjo është me rëndësi thelbësore, sepse pa Asociacionin nuk do të ketë zbatim të pjesëve të tjera të asaj marrëveshjeje”.

Duke iu referuar qëndrimeve të palëve, njohës të procesit presin mospajtime të forta rreth Asociacionit.

“Sa i përket takimit nuk pritet që të ketë ndonjë marrëveshje në lidhje me draftin e Asociacionit. Ndërkohë pritet që të adoptohet deklarata e përbashkët për personat e pagjetur. Mirëpo për çështjen e Asociacionit kërkesa është që të fillohen diskutimet. Por fillimi i këtyre diskutimeve nuk sjell edhe një pajtim të menjëhershëm. Pres që të ketë mospajtime mjaft të forta në lidhje me natyrën e Asociacionit”, ka thënë analisti Seb Bytyqi.

Neni 7 i propozimit të BE-së flet për “vetëmenaxhimin” e komunitetit serb, që sipas emisarit Lajçak nënkupton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkaq sipas aneksit të dakorduar në Ohër, “Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.

Me gjithë ujdinë e proklamuar rreth aneksit për zbatimin e propozimit të BE-së, zyrtarët serbë paralajmëruan se nuk do të zbatojnë atë përderisa nuk themelohet Asociacioni. Kjo u dëshmua edhe në testin e parë të marrëveshjes, ku Serbia në kundërshtim me nenin 4 të Marrëveshjes doli kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe loboi edhe te shtetet tjera që ta pamundësojë një gjë të tillë.

“Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thotë neni i marrëveshjes, për të cilin pala kosovare e denoncoi Serbinë për shkelje.

Asociacioni ka qenë pika që ka prodhuar më së shumti kundërthënie e përplasje brenda vendit.

Veprimet për ngritjen e tij pas marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 janë shoqëruar me mungesë transparence.

Përveç tri vendimeve të qeverive të kaluara lidhur me Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, edhe Qeveria aktuale gjatë kësaj jave deklaroi se nuk ka informacione lidhur me punën dhe përmbajtjen e dokumenteve të draftuara.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokale publikoi tri dokumente me përbërjen e ekipit dhe një tjetër për ftesën që i është bërë Ekipit Menaxhues nga ministri aktual, Elbert Krasniqi. Por sipas ministrit, deri tash Ekipi Menaxhues ka refuzuar të takohet për t’u koordinuar me Qeverinë.

Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar - Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerë janë ndryshuar vazhdimisht, ku Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e ekipit, sipas vendimit të vitit 2020. Deputetja e Parlamentit të Serbisë nga partia e Vuçiqit, Danijela Vujiçiq, njëherësh është emëruar edhe koordinatore e Ekipit Menaxhues.

Periudhën kur zhvillonin takimet me palët e përfshira në komunat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues kishte shprehur përcaktimin për kompetenca ekzekutive të Asociacionit, në fushën e zhvillimit ekonomik, shëndetësi, arsim e planifikim hapësinor. Pas dorëzimit të draftit asnjëherë nuk ishte zbardhur përmbajtja e tij. Ish-Qeveria Haradinaj një herë ia pati kthyer Ekipit Menaxhues për t’i bërë përmirësimet e nevojshme dhe përkthimin nga gjuha shqipe, pasi i njëjti ishte dorëzuar vetëm në cirilik. Afati i fundit për ta dërguar statutin në Bruksel ka qenë 4 gushti i vitit 2018. Por as qeveritë e deritashme e as BE-ja asnjëherë nuk patën treguar se çfarë ka ndodhur me këtë dokument.

Për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së ka paralajmëruar të vendosë baraspeshë në zbatimin e ujdive, sipas logjikës, që secila duhet të japë diçka për të marrë diçka tjetër.

Por Seb Bytyqi thotë se BE-ja ka qasje të njëjtë kur vjen puna te zbatimi i marrëveshjeve.

“Tashmë është vërtetuar me kalimin e afatit 30-ditor se edhe vetë BE-ja ka një qasje zvarritëse dhe të ngadaltë, sepse edhe pikën që është dashur ta përmbushë, pra formimin e mekanizmit mbikëqyrës, e ka vonuar dhe gjithçka është lënë deri në ditën e fundit. Kurse për dy pikat tjera - personat e pagjetur dhe çështjen e Asociacionit, ka kaluar afati tridhjetëditësh. Kjo është dëshmi për një qasje shumë të ngadaltë, gjë e cila deri tash ia ka mundësuar Serbisë qasjen zvarritëse sa i përket dialogut në përgjithësi. Pra, kjo i ka shkuar më së shumti për shtati Serbisë”, ka theksuar Bytyqi.

Por mbështetur në udhërrëfyes, Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhen pjesë kryesore e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Në dokument përmenden edhe pasojat që i presin palët në rast të mosrespektimit të obligimeve, në proceset përkatëse të anëtarësimit dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.