Nesër, e martë, me fillim prej orës 09:00 do të nisë seanca e jashtëzakonshme ku do të shqyrtohet propozim-vendimi i Qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ka mbajtur sonte një mbledhje të dytë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme. Konform praktikave dhe sipas kërkesës së parashtruar, seanca do të mbahet të martën, më 4 shtator 2018, në orën 9:00, në të cilën do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e kryesisë së Kuvendit.
Kjo seancë nis një orë para seancës së jashtëzakonshme të ftuar nga opozita ku pritet të votohet një rezolutë për ndalimin për negocim kufijsh në dialogun me Serbinë.
Kryesia mblidhet në 19:30
19:02 - Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë mbledhjen për në orën 19:30, pasi më parë Koha.net mori vesh se mbledhja do të mbahet në orën 19:00.
Në njoftimin për media të Kuvendit, thuhet se në këtë mbledhje do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës.
“Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thotë Kuvendi.
Mbledhje urgjente e Kryesisë së Kuvendit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar sonte në ora 19:00 mbledhje të re të Kryesisë së Kuvendit, ku pritet të caktohet edhe një seancë e re parlamentare ditën e martë.
Koha.net mëson nga burime brenda Kuvendit se kjo mbledhje e Kryesisë është ftuar për ta caktuar seancën e re plenare sipas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj për ta miratuar ekipin negociator që është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë.
Kjo seancë e re pritet të mbahet një orë para seancës parlamentare e cila është ftuar me kërkesë të opozitës.