Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nëntë OJQ-të e Gjilanit nënshkruajnë kontratat e subvencioneve

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot kontratat e subvencionimit në bazë të thirrjes publike për nëntë organizata joqeveritare që veprojnë në këtë Komunë me shërbime për kategori të ndryshme të shoqërisë, transmeton Koha.net.

“Është përcaktim i Komunës së Gjilanit që të punojë ngushtë me këto organizata që në baza ditore japin shërbime për persona të cilët kanë aftësi të kufizuara në zhvillim ose që janë pjesë e personave me aftësi të kufizuara. Është brengë e vazhdueshme e jona dhe do t’i mbështesim gjithmonë që ndjenja e tyre të jetë e barabartë me të gjithë ne, si pjesë e përgjegjësisë dhe jetës së barabartë në shoqëri”, ka thënë kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit ka bërë të ditur gjithashtu se shumë shpejtë këto shërbime do të barten në SOS fshatin më të madh në nivel Republike, i cili tashmë ka nisur të ndërtohet në bazë të standardeve moderne europiane me investim të Qeverisë së Kuvajtit në vlerë prej mbi 2 milionë dollarë.

Përndryshe, kontratat për subvencione nga thirrja publike me Komunën e Gjilanit i kanë nënshkruar organizatat “Qendra Liria”, Qendra e Edukimit për Fëmijë me Nevoja të Veçanta, “Handikos”, shoqata e të shurdhërve “Anamorava”, Qendra e Kujdesit Ditor “PEMA”, Shoqata e të Verbërve, Shoqata e të Shurdhërve, Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.