Arbëri

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

Vendimi për liberalizmin e vizave për Kosovën është nënshkruar të mërkurën.

Ai është nënshkruar nga presidentja e Parlamentit Evropian (PE) Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian (BE) në emër të kryesuesit të radhës.

Metsola ka postuar në Twitter fotografinë e nënshkrimit. “Nënshkruar, vulosur, dorëzuar. Moment krenarie për Parlamentin Evropian pasi i dhamë sot dritën e gjelbër përfundimtare për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për popullin e Kosovës – të udhëtojë, të bëjë biznes, të thellojë lidhjet me evropianët”, ka shkruar ajo.

Nënshkrimi është bërë pasi të martën PE-ja në seancë plenare ka miratuar këtë akt, me çka edhe ka marrë fund procesi i vendimmarrjes.


Bislimi: Nga viti i ardhshëm s’do të ketë mijëra raste të humbura e turpërime për qytetarët e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është i lumtur që nga viti i ardhshëm më nuk do të ketë mundësi të humbura për qytetarët e Kosovës shkaku i vizave, e po ashtu poshtërime duke u refuzuar vizat atyre.

Ai përmendi rastin e drejtorit të DokuFestit, Eroll Bilibani, që shkaku i vizës nuk arriti të merrte pjesë në Berlinale.

“Ishte një proces i gjatë e i vështirë, me shumë pengesa dhe shumë rrugë. Mori 11 vjet për t’u përmbyllur. Për shumë vite kishte ngecur në Këshill dhe dukej e pamundur të tejkalohej. E bëmë argumentin tonë, jo vetëm duke përmbushur kriteret, por Kosova u dëshmua se është e përkushtuar në sundim të ligjit, e luftim të krimit e korrupsionit. Këto arritje s’mund të injorohen. Punuam ngushtë me të gjitha shtetet anëtare. Dua të falënderojë z. Thijs, e po ashtu zonjën Fajon e znj. Viola Von Cramon e z. Lukas Mandl, që ishin zëra mbështetës në Parlament. Falënderime për presidencën çeke dhe suedeze që e shtyn para këtë punë”, tha Bislimi.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave përforcon lidhjet e Kosovës me BE-në.

“Ka qenë shumë turpëruese kur qytetarëve u refuzoheshin aplikimet për viza. Vitin e ardhshëm më qytetarët e Kosovës nuk do t’u nënshtrohen këtij procesi, vitin vijues nuk do të kemi raste si ai i Eroll Bilibanit, drejtorit të DokuFestit, njërit prej festivaleve më të rëndësishme të filmit dokumentar në Kosovë, i cili mori ftesë për të marrë pjesë në Berlinale, por anuloi udhëtimin shkaku i refuzimit të vizës. Nuk do të kemi raste si rasti i pingpongistëve që nuk morën pjesë në Evropian shkaku i vizës. Nuk do të kemi rast si ai i Jeton Nezirajt, që mori çmim të rëndësishëm evropian, por u desh ta anulonte udhëtimin shkaku i vizës. Tha se regjimi i vizave është bërë pengesë që synon të na turpërojë. Më nga 1 janari nuk do të kemi mijëra mundësi të humbura për qytetarët që të marrin pjesë në konferenca, gara sportive, shkolla verore apo ngjarje tjera. Do të përçojë sinjal të fuqishëm për qytetarët e Kosovës se jemi pjesë e Evropës”, tha Bislimi.


Reuten: Përfundoi një padrejtësi

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën në negociatat me Këshillin Evropian për çështjen e vizave, Thijs Reuten, ka thënë se më në fund mbaroi një padrejtësi që u ishte bërë qytetarëve të Kosovës.

“Dua të falënderoj znj. Tanja Fajon për punën e saj në mandatin e kaluar, që shtroi rrugën për këtë punë të suksesshme. E po ashtu të gjithë raportuesit për një bashkëpunim konstruktiv në këtë ndryshim konkret e të prekshëm për qytetarët e Kosovës. Të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit mund të udhëtonin të lirshëm me përjashtim të atyre të Kosovës. Ishte e padrejtë dhe e paarsyeshme dhe kjo situatë tashmë ka mbaruar. Kosova punoi shumë për të plotësuar të gjitha kushtet, dhe i plotësoi ato para shumë viteve. Ky nuk është moment i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe për ne, për Bashkimin Evropian, pasi më në fund përmbushi premtimin e bërë”, ka thënë Reuten.

Ai ka thënë se ishte e padrejtë që në momentin e fundit u kushtëzua heqja e vizave me aktivizimin e sistemit ETIAS, por se u insistua një datë përfundimtare dhe ajo është 1 janari 2024.

“Për të qenë i sinqertë, nuk isha fare i gëzuar me kushtin e ri që doli në fazën përfundimtare të negociatave. Ishte befasuese që u kërkua aq fuqimisht, por ka ndodhur dhe është fakt, por jam i kënaqur që arritëm të pajtohemi me Këshillin që të kemi datë përfundimtare, që është 1 janari i vitit 2024. Po, pajtohem që ETIAS-i nuk duket se do të jetë funksional deri në atë datë. Por ishte me rëndësi të kemi datën përfundimtare”, ka deklaruar Reuten.

Të pyetur se a vlen liberalizimi i vizave për serbët e Kosovës, Reuten dhe Bislimi kanë thënë se çështja e liberalizimit është e qartë e se “kushdo që ka pasaportë të Kosovës mund të udhëtojë lirshëm”.