LAJMET E MBRËMJES

Zyrtarizohet në Strasburg vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës

Në Strasburg është finalizuar të mërkurën procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja e Parlamentit Evropian dhe ministrja suedeze për çështje evropiane e nënshkruan aktin ligjor, që e përmbyll procesin e vendimmarrjes. E deri në udhëtimin pa viza, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, mbetet vetëm që ky akt të botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian

Pasi dje ishte miratuar vendimi, sot presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsolla, dhe ministrja për çështje evropiane e Suedisë, Jesica Roswell, kanë nënshkruar aktin ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Me këtë është bërë edhe hapi i fundit formal në këtë procedurë dhe tash mbetet akt vetëm të botohet në gazetën zyrtare të BE-së dhe të hyjë në fuqi, sipas të gjitha gjasave, me datën 1 janar të vitit të ardhshëm. Prej asaj date, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Schengen pa viza.

Në ceremoninë e nënshkrimit sot në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz.

Pas ceremonisë, në një konferencë për gazetarë, zëvendëskryeministri Bislimi dhe raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave në PE, Thijs Reuten, folën për rëndësinë e këtij akti dhe që të dy u pajtuan se ai ka qenë shumë i vonuar për qytetarët e Kosovës.

“Fjalia me të cilën më së miri mund të përshkruhet ky akt është ajo më në fund – se Kosova ka pritur tepër gjatë dhe me këtë është përmirësuar një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Reuten, raportues për çështjen e liberalizimit të vizave në PE.

Ndërkaq Bislimi po ashtu rikujtoi sesa i vështirë ka qenë ky rrugëtim për Kosovën, si për qytetarët ashtu edhe për autoritetet

“Ky vendim nuk është kuptimplotë vetëm për Kosovën, për shkak se të gjitha shtetasit e rajonit tashmë kanë mundur të udhëtojnë pa viza, përveç Kosovës. Ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi”, ka thënë Bislimi.

Qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza, sipas këtij vendimi, për një periudhë prej 90 ditësh, brenda një periudhe 6-mujore dhe këtë mund ta bëjnë dy herë në vit.

Bislimi u shpreh se Qeveria e Kosovës tash do të nisë edhe një fushatë të informimit për të informuar qytetarët e Kosovës se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave.

Gjatë konferencës për shtyp të raportuesit Thijsen dhe zëvendëskryeministrit Bislimi pati edhe pyetje rreth qytetarëve të Kosovës që kanë shtetësi të Serbisë dhe me pasaportat që Serbia ua lëshon në një zyrë në Beograd, ata deri më tash nuk kanë mundur të udhëtojnë pa viza.

Edhe Reuten e edhe Bislimi thanë se vendimi i sotëm është i qartë dhe ka të bëjë me shtetasit e Kosovës dhe ata që kanë pasaporta biometrike të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Bislimi u bëri ftesë edhe serbëve që nuk kanë pasaporta të Kosovës që të shfrytëzojnë periudhën tetëmujore, sa ka mbetur deri tek hyrja në fuqi e këtij vendimi, që të pajisen me pasaporta të tilla.