Presidentja Vjosa Osmani dhe guvernatorja e shtetit të Iowas, Kim Reynolds, kanë nënshkruar të hënën marrëveshjen e marrëdhënies së shteteve simotra dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.
Në konferencën për media të mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes, Osmani ka thënë se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën mbetet ekzistenciale.
“Sot me nënshkrimin e marrëveshjes mes Republikës të Kosovës dhe të shtetit të Iowas, dëshmuam edhe njëherë përkushtimin tonë për të hapur kapituj të ri të bashkëpunimit dypalësh. Kjo marrëveshje do të luajë rol jetik në zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë, tregtinë, si dhe në fushën e mbrojtjes. Për Republikën e Kosovës, aleanca me SHBA-në vazhdon të mbetet ekzistenciale. Fuqizimin ndërkombëtar i Republikës e shohim vetëm me përkrahje të miqve siç është SHBA-ja”, ka thënë ajo.
Osmani ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar të hënën do t’i hapë rrugë përafrimit dhe përfitimeve të drejtpërdrejta mes qytetarëve.
Reynolds nga ana tjetër, e cila fjalën e saj e nisi duke thënë se luten për popullin e Pejës për shkak të tragjedisë së ndodhur atje, ka thënë se janë të përkushtuar për ta zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e sigurisë e edukimit.
“Kemi pasur shkëmbime të shumta edukative, kulturore dhe marrëdhënia me 8 qytete si motra e besoj që do të shkojë në numrin 10. Jemi të përkushtuar për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin tonë edhe më tej në fushën e sigurisë, edukimit sepse këto shkëmbime nuk varen vetëm nga udhëheqësit politikë por edhe nga biznese të shumta”, ka thënë ajo.