Komuna e Mitrovicës Veriore ka ndërprerë punimet për ngritjen e një shtëpie që për pronar ka një shqiptar, me pretendimin se gjatë gërmimeve afër truallit janë dëmtuar varreza të serbëve. Policia ka nisur hetimet, e pronari thotë se hapësira ku ka punuar, ka qenë rrugë para lufte
Valon Canhasit i janë ndalur punimet në ndërtimin e shtëpisë në Suhodoll të Mitrovicës Veriore, për ngritjen e së cilës përfitoi subvencion nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Lista Serbe fajësoi Ministrinë për dëmtim të varrezave të serbëve, meqë gjatë gërmimeve për hapjen e rrugës për te trualli, dolën edhe eshtra. Ministria u shfajësua, duke thënë se vetë përfituesi ka kontraktuar kompaninë për ndërtimin e shtëpisë dhe punët përreth.
E Canhasi insiston se pjesa në të cilën është punuar, është rrugë dhe nuk u përket varrezave.
“Janë legalizuar me kohë. E kemi shfrytëzuar këtë rrugë... Titulli që është vendosur, është i gabueshëm – nuk kemi bërë hapje të rrugës. Rruga ka ekzistuar qe 35 vjet. Kemi bërë pastrim të rrugës për të arritur tek objekti, për t’i larguar gërmadhat nga këtu”, ka thënë ai. “Tash unë nuk jam në gjendje me i vazhdu punimet. Inspektorati i Komunës së Veriut i ka ndalur punimet derisa të kryhen hetimet, sepse sa është bërë ose nëse është bërë ndonjë dëm i varrezave”.
Në Komunën e Mitrovicës Veriore thanë se gërmimet nuk është dashur të ndodhin.
Edhe
Gërmime për eshtra në dy lokacione në veri, dyshohet se pronari i shtëpisë dëmtoi varrezat
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, theksoi se situata tani po shfrytëzohet politikisht nga Lista Serbe. Sipas Uglanjin, për këtë rast Kisha Ortodokse e cila gjendet afër kësaj parcele, ka vendosur të bëjë kallëzim penal për pronarin e tokës.
“Në kuvendin e ardhshëm të cilin do ta mbajmë, unë si kryesues i Kuvendit, do ta thërras Policinë për të marrë një raport, se pse kjo ka ndodhur fatkeqësisht në këtë situatë politike, ku dikush e ka shfrytëzuar për të bërë manovra politike”, ka thënë Ugljanin. “Ne si komunë kemi marrë masat konkrete. Komuna i ka ndalur punimet”.
E, në Polici bënë të ditur se tashmë është hapur rast ndaj një personi për dëmtim të varrezave.
“Policia e Kosovës menjëherë pasi që ka pranuar informatën, ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar prokurorin dhe inspektoratin komunal. Pas hetimeve primare në vendin e ngjarjes, janë ndaluar punimet dhe është hapur rast ndaj një personi të dyshuar për dëmtim të varrezave. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut.
Edhe
Kryente punime në objekt të ndaluar në Mitrovicë të Veriut, iniciohet rast ndaj një personi
KOHA ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë në Mitrovicën e Veriut, por ai nuk ka dhënë ndonjë informatë për këtë rast, pasi ka thënë se ndodhet jashtë vendit.
Shtëpia e Valon Canhasit, rindërtimi i së cilës është pezulluar, është djegur gjatë luftës. E këtë vit, Qeveria ka marrë vendim për rindërtimin dhe rinovimin e shtëpive në veri, të dëmtuara gjatë luftës 1998-1999.