Arbëri

Në UP u hap edicioni i nëntë i Panairit Virtual të Karrierës

Foto: UP

Në Sallën “1 tetori”, të premten është hapur edicioni i nëntë i Panairit Virtual të Karrierës (PVK), i organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me projektin partner të GIZ-it, DIMAK Kosova. Edicioni i sivjetmë i PVK-së u mbajt së bashku me Panairin Nacional të Punës, të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe partnerë të tjerë.

Të pranishmëve në këtë edicion iu drejtua me fjalë rasti rektori i UP-së, Marjan Dema, i cili bëri hapjen zyrtare të Panarit Virtual të Karrierës së UP-së. Ai uroi që ky panair të arrijë misionin e tij për gjetjen e vendeve të reja të punës dhe ofrimin e mundësive për zhvillim të karrierës.

“Uroj që ky panair, i ideuar për studentë dhe të diplomuar, të iu shërbej në gjetjen e mundësive për qasje në tregun e punës dhe zhvillim të mëtejshëm në karrierë. Ndërkaq, juve punëdhënës dhe ofrues të shërbimeve për karrierë, iu falënderoj për mundësinë që po i jepni studentëve dhe të diplomuarve tanë, mundësi këto që do iu shërbejnë edhe kompanive tuaja për të fituar kuadro të përgatitura profesionalisht”, tha Dema.

Ai ndër të tjerash tha që UP-ja është shumë e përkushtuar për ndryshim dhe reforma, sepse pa ndryshimin e universitetit, nuk ka ndryshim në Kosovë.

Në anën tjetër, hapjen e Panairit Nacional të Punës e bëri ministri i Punës, Skender Reçica, i cili theksoi se ngjarja e sotme është një mundësi e mirë, si për punëdhënësit potencialë, ashtu dhe për punëkërkuesit.

Hapjen e panairit e përshëndetën edhe përfaqësues nga DIMAK Kosova, Ambasada Gjermane dhe Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, të cilët konsideruan se realizimi i këtij panairi paraqet një mundësi unike për ndërlidhjen e punëkërkuesve me tregun e punës.

Në Panairin e Karrierës të UP-së morën pjesë 27 institucione, organizata, qendra dhe zyre.

Panairi Nacional i Punës dhe Karrierës ofroi për punëkërkuesit afro 2500 mundësi për vende pune dhe rreth 1000 mundësi për punë praktike. Edicioni i sivjetmë u organizua nën moton “Eja, rrjetizohu me punëdhënësit”.

Në hapjen e Panairit Nacional të Punës dhe Karrierës, të pranishëm ishin rektori i UP-së, Marjan Dema, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, zëvendës-ambasadori në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Jan Axel Voss, udhëheqësja e DIMAK Kosova, Anja Tomic, Nora Hasani - Llapashtica nga Oda Ekonomike Gjermano - Kosovare, përfaqësues të kompanive, studentë dhe të diplomuar.