Në javën e fundit të shtatorit do të rikthehet “Panaxhyri” i madh treditor i Gjilanit, në të cilin do t’i promovojnë produktet e tyre kompanitë vendore të 17 komunave të mikroregjionit evropian, sikurse edhe ato nga Shqipëria, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Lajmi është bërë i ditur pas takimit të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, transmeton Koha.net.
Haziri tha se ideja e këtij Panaxhyri ka ardhur me rastin e shënimit të ditëve të bardha të Gjilanit, përkatësisht në hapjen e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Gjilan.
“Panaxhyri po kthehet në përmasa shumë të mëdha, në të cilin marrin pjesë 17 komuna në mikroregjionin evropian Kosovë, Maqedoni dhe Serbi. Ndërsa, ideja e ambasadorit Minxhozi dhe zëvendësministrit Arifi për t’i dhënë peshë dhe rëndësi ekonomike është që të gjitha kapacitet, edhe buxhetore dhe njerëzore të mbështeten, në mënyrë që në fundi të shtatorit ky Panaxhyr të jetë si më i madhi ndonjëherë në këtë regjion”, tha kryetari Haziri.
Minxhozi tha se në këtë Panaxhyr do të ketë edhe kompani nga rajoni dhe Shqipëria, të cilat do t’i japin të gjitha mundësitë për t’i shkëmbyer eksperiancat e prodhimet e tyre, për të ecur përpara.
Edhe
Panagjyri i Gjilanit bashkon 120 biznese vendi dhe rajoni
“Ne po shqyrtojmë mundësitë që ky Panaxhyr të vishet edhe me petkun kulturor e sportiv, me aktivitete nga më të ndryshmet. Besojmë që do të ketë sukses dhe do të jetë një Panaxhyr tradicional dhe i hapur edhe për bashkatdhetarët ”, theksoi Minxhozi.
Ndërkaq, zëvendësminitri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, është zotuar se do ta përkrahin këtë Panaxhyr me krejt mundësitë e tyre, meqë bëhet fjalë për promovimin e produkteve dhe krahas kësaj do të begatohet edhe me aktivitete të tjera.