Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Gjilan u hap Konsullata e Nderit e Shqipërisë

Në 19 vjetorin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në qytetin e Gjilanit është hapur një Konsullatë Nderi e Shqipërisë, e cila po konsiderohet se do të shërbejë për forcimin e mëtejmë të lidhjeve në mes të shqiptarëve.

Me rastin e hapjes së saj, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se arsyeja se pse e kanë zgjedhur qytetin e Gjilanit është pasi që është një pikë shumë e rëndësishme, derisa shtoi se me këtë synojnë që të jenë gjeografikisht në qytete të ndryshme për të ofruar veprimtari e aktivitete të shumta.

“Kemi rënë dakord që në fillim të tetorit në Gjilan të hapim një panair në Gjilan, i cili do të jetë gurthemel i dytë i bashkëpunimit tonë”, bëri të ditur Minxhozi, përcjell KosovaPress.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, tha se ndjehet i nderuar që në ditët e çlirimit po hapet konsullata e Shqipërisë u hap pikërisht në qytetin e Gjilanit.

“Kjo zyrë do të jap input bashkëpunimi ndërkufitar në mes Serbisë dhe Maqedonisë, duke inkurajuar programet e tona të bashkëpunimit dhe largimit nga e kaluara dhe që të shohim bashkërisht në të ardhmen”, tha ai.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Infrastrukturës, Bajram Hasani, i cili vlerësoi se Kosova është në rrugë të mirë të bashkëpunimit me Shqipërinë. Teksa shtoi se aty ku flitet një gjuhë, bashkëpunimi është gjithmonë më i lehtë.