Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Prizren sot ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës. Përveç anëtarëve të rregullt të këtij Këshilli, në këtë mbledhje ishin prezentë edhe mysafirë nga institucionet qendrore, të cilët dhanë sqarime në lidhje me sigurinë në fushat e tyre përkatëse.
Mbledhja filloi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, i cili më pas ia kaloi fjalën ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, për të folur rreth sigurisë së përgjithshme, ngritjes së sigurisë në shkolla dhe sigurisë në komunikacionin rrugor.
Më pas fjalën e mori udhëheqësi i Divizionit për Armë dhe Eksploziv, Destan Mustafa, i cili foli për procesin e legalizimit të armëve, derisa shefi i Divizionit për Siguri në Bashkësi, Imer Thaqi, dha sqarime në lidhje me procesin e reintegrimit të personave të kthyer nga vendet e luftërave.
Për gjendjen e sigurisë në trafik dhe angazhimin e Policisë për minimizimin e aksidenteve në trafik, qoftë nëpërmjet fushatave vetëdijësuese apo parandalimit me anë të kontrollit dhe gjobitjes, foli nënkoloneli nga Divizioni i Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi, kurse drejtori i Policisë Rajonale, Nexhmi Krasniqi, dha informata në lidhje me situatën aktuale të sigurisë në komunën e Prizrenit.
Mbledhja vazhdoi me debat të hapur ku anëtarët e Këshillit patën rastin të parashtrojnë pyetjet e tyre. Ndër temat që u diskutuan ishin: shenjëzimi rrugor, ndriçimi publik, rastet e vjedhjeve të shtëpive, qentë endacakë, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, kamerat e sigurisë, zjarrvëniet nëpër pyje, lypsarët etj.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, dha informacione në lidhje me angazhimet e Komunës për t'i evituar shumicën e këtyre problemeve. Ai tha se Komuna vitin e kaluar ka shtuar ndriçim publik në rrugë deri në 15 km gjatësi dhe do të vazhdojë edhe sivjet që të bëjë ndriçimin e rrugëve, qoftë me shtimin e shtyllave të reja të ndriçimit publik apo riparimit të atyre ekzistuese.
Sa i përket zjarrvënieve nëpër pyje, kryetari Haskuka tha se në Prizren janë identifikuar rreth 200 raste të zjarrvënieve dhe fatmirësisht për shkak të temperaturave jo shumë të larta ato nuk janë përhapur në sipërfaqe më të mëdha. Në lidhje me këtë kryetari ftoi organet e drejtësisë që të ketë masa më të rrepta ndëshkuese ndaj atyre që shkaktojnë dëme të tilla.
Kurse për pyetjen për qentë endacakë, kryetari edhe njëherë bëri të ditur se trajtimi i tyre vazhdon të bëhet në bashkëpunim me Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit, derisa procesi i ndërtimit të Qendrës për Trajtimin e Qenve ka ngecur paksa për shkak të çështjeve pronësore me Agjencinë e Pyjeve. Gjithashtu në lidhje me trajtimin e qenve endacakë, theksoi se Komuna ka bashkëpunim me organizata të ndryshme joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve.
Duke iu drejtuar edhe ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetari Haskuka kërkoi që të miratohet sa më shpejtë Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, në mënyrë që të ketë mekanzima shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, dhe me anë të këtij ligji të evitohet edhe problemi i lypsarëve.
{gallery}