Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Prishtinë nis fushata e shkollimit për punë

Me moton se shkolla nuk të bë njeri, por të gjen punë, sot në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet është hapur fushata për edukimin dhe aftësimin profesional “EYE”, e iniciuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë dhe Qendra për Karrierë në Prishtinë.

Durim Hoxha, menaxher i projekti “EYE”, ka bërë të ditur se qëllimi i këtij projekti është prezantimi i disa aktivitete që kanë të bëjnë me aftësimin dhe arsimin profesional.

Drejtori i Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, Patrick Ettiene shprehu përkrahjen e shtetit zviceran për sistemin e edukimit në Kosovë.

Sipas tij mundësia më e mirë për të pasur karrierë dhe të ardhme të sigurt është aftësimi profesional.

Drejtori i Departamentit për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj ka deklaruar se janë duke punuar në zbatimin e sistemit dual të arsimit, dhe gjetjen e vendeve të punës për nxënësit që kryejnë arsim profesional.

Sipas tij në shkollat e kryeqytetit janë duke investuar që nxënësit t’i përgatisin sa më shumë për tregun e punës.

Drejtoresha e Cactus Education, Vildane Kelmendi duke shpalosur mundësitë e kësaj shkolle, tha se përmes shkollimit profesional arrihet punësim i sigurt.

Projekti “EYE” implementohet nga Helvetas dhe MDA, ndërsa në Kosovë ka gjetur mbështetjen nga “Shkolla Digjitale”, “BoneVet”, “Qendra për Këshillim në Karrierë”, “Qendra për Karrierë”.

Artikuj të ngjashëm