Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, deklaron se në 2 vite është bërë verifikimi i të paktën 1500 figurave të rëndësishme dhe 30 janë gjetur me probleme.
Në një prononcim për median pas një aktiviteti që zhvilloi me ambasadoren gjermane në Tiranë, Sula reagoi edhe ndaj padisë së ngritur nga anëtari i KLP-së, Bujar Sheshi, i cili pretendon se AIDSS ka publikuar qëllimisht informacione të pavërteta mbi të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Autoriteti në dy vite ekzistencë ka verifikuar të paktën 1500 figura, të cilët janë të gjithë zyrtarë shumë të lartë, natyrisht ashtu siç i ka ligji. Për organet e larta të drejtësisë kemi verifikuar rreth 550 figura dhe 4 prej tyre janë gjetur me probleme. Në dokumentet e Sigurimit, nga 1500 figura rreth 30 janë gjetur me probleme. Në asnjë rast nuk ka axhendë politike te ne, nuk ka asnjë axhendë, koordinim, absolutisht asgjë. Te ne është vetëm ligji, procesi. Do bëjmë punën ashtu siç e kemi bërë çdo ditë. Është një proces i zakonshëm që kemi bërë dhe në rastin konkret na vjen keq që ka dalë vendimi në shtyp sepse nuk duhet të dilte, nuk e di kush e ka nxjerrë, por e vërteta është se ne punën e kemi krejtësisht të pandikuar nga çdo gjë që ndodh. U shërben ligjit dhe reformave të rëndësishme të Shqipërisë”, theksoi Sula duke shtuar se:
“Është detyra juaj, e gazetarëve, të ndiqni çfarë ndodh mbasi ne çojmë vendimin tek institucioni. Ne nuk bëjmë këtë monitorim. Është vendim i institucioneve. I bëj thirrje publikut dhe gazetarëve të bëjnë ndjekje të të gjitha rasteve sepse kanë të drejtë që nëpërmjet së drejtës për informim, t’i ndjekin rastet”.
Kryetarja e AIDSS-së u pyet mbi vërtetësinë e dokumenteve të publikuara nga Partia Demokratike, ku theksohej se anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, ka qenë bashkëpunëtor me ish-Sigurimin e Shtetit. Për këtë, Sula ia dha fjalën sekretarit të përgjithshëm, Skënder Vrionit, i cili theksoi se në rastin e verifikimit të Sheshit, është dhënë një dokument ku theksohet se gjeneralitetet e bashkëpunëtorit të ish-Sigurimit të Shtetit janë të njëjtat me Bujar Sheshin.
Kësisoj, institucioni hedh poshtë pretendimin e prokurorit Sheshi se dokumentet e publikuara në media janë të pavërteta. Prej disa ditësh, sistemi i drejtësisë i ngritur pas Reformës së Drejtësi, është përfshirë në një skandal akuzash. Partia Demokratike, para disa ditësh publikoi në media vendimin e Autoritetit të Dosjeve, i cili theksonte se anëtari i Këshilli të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, ka qenë bashkëpunëtor me ishSigurimin e Shtetit gjatë kohës kur ky i fundit ka qenë në gjimnaz.
Kjo ka sjellë reagime nga ana e institucioneve të drejtësisë, ndërsa nga politika është akuzuar prokurorja e përgjithshme Arta Marku, me argumentin se ka shkelur ligjin duke kandiduar Sheshin për KLP pa pasur dokumentin e pastërtisë së figurës/Panorama.