Arbëri

Në pikëpyetje legjitimiteti i zgjedhjes së kryeprokurorit special dhe atij të Prishtinës

Rregulloren të cilën e ka hartuar vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e ka zbatuar për të plotësuar dy nga pozitat më të rëndësishme në sistemin prokurorial.

Zgjedhja e kryeprokurorit special, Blerim Isufaj, dhe e kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi, është përcjellë me polemika.

Përderisa Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka vlerësuar këtë proces si më transparentin ndonjëherë, të premten “e zhgënjyer” me këtë proces është deklaruar Ambasada e Amerikës në Kosovë, e cila e ka përcjellë nga afër, shkruan sot Koha Ditore.

Gazeta ka mësuar se një nga çështjet më problematike që e ka përcjellë këtë proces është dallimi në vlerësimin me shkrim dhe poentim.

“Për një kandidat në pjesën e vlerësimeve me shkrim kanë folur pozitivisht të gjithë anëtarët e komisionit, por në rubrikën e poentimit me pikë i kanë dhënë pikë minimale”, ka thënë ky burim.

Në një rast, sipas këtij burimi, diferencë të madhe në vlerësim narrativ dhe poentim kishte tek poentimi për integritet të njërit nga kandidatët për kryeprokuror special.

“Kur ka folur për integritet e ka vlerësuar maksimalisht, por tek rubrika e poentimit, tek integriteti i ka dhënë pikë minimale”, ka thënë ky burim.

Ambasada e Amerikës në Kosovë është shprehur e zhgënjyer me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për ta ndjekur rregulloren e tyre për zgjedhjen e kryeprokurorit të PSRK-së dhe të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)