Prokuroria Speciale e Kosovës teksa është përpjekur të demantojë lajmin e KOHËS “I dyshuari për 53 milionët, përditë në Ministri e ‘i paqasshëm për Prokurorinë’”, ka konfirmuar vetë raportimin.
Të shtunën në mbrëmje, kjo Prokurori ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Besim Tahirit, zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës, për rastin e pagesës së 53 milionë eurove për “Bechtel Enkan”. Ka thënë se aktakuzën e ka ngritur të premten.
Sqarimi i Prokurorisë vjen pasi KOHA raportoi se si ky institucion i pati pezulluar hetimet ndaj zyrtarit të cilin Prokuroria e konsideronte të paqasshëm, edhe pse në vazhdimësi ai dilte në vendin e tij të punës në Ministrinë e Infrastrukturës.
Të premten KOHA pati dërguar pyetje në drejtim të Prokurorisë për rastin e Tahirit. Përgjigjet munguan. Raportimi u bë në bazë të aktakuzës së ngritur ndaj ish-ministrit Pal Lekaj dhe dy zyrtarëve të tjerë. Aty thuhet se Prokuroria e kishte të pamundur të gjente adresën e Tahirit dhe e kishte konsideruar të paqasshëm, ani pse ai dilte në vendin e tij të punës në Ministrinë e Infrastrukturës.
Prokuroria nuk i ka ndjekur procedurat e rregullta që reagimin t’ia dërgojë mediumit që ka transmetuar lajmin, ndërsa në përpjekjen publike për demant s’ka treguar se nuk u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me rastin.
“Prishtinë, 19 shkurt 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se lajmi i mbrëmshëm i publikuar në edicionin e lajmeve qendrore të KTV-së, me titull ‘I dyshuari për 53 milionët, përditë në Ministri e ‘i paqasshëm për Prokurorinë’, është i pasaktë, për faktin se kundër të pandehurit B.T, Prokuroria ka ngritur aktakuzë më datë 18 shkurt 2022, për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, të kryer në bashkëkryerje me të pandehurit P.L, N.SH dhe E.B për të cilët është ngritur aktakuzë më datë 04 shkurt 2022. Bazuar në rezultatet e hetimeve, Prokuroria Speciale me datë 14 janar 2022, ka marr aktvendim për zgjerim të hetimeve ndaj të pandehurit B.T., për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje me të tjerët kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Pas zgjerimit të hetimeve PSRK, ka bërë përpjeke ligjore që ta siguroj prezencën e të pandehurit B.T., për ta intervistuar. Për shkak të shmangies së personit për tu paraqitur në Prokurori, nga kjo prokurori janë ndërmarrë veprime ligjore për ta siguruar prezencën e tij për tu deklaruar, me c’rast ka kërkuar urdhër arrest nga Gjykata, dhe njëkohësisht për shkak se janë plotësuar kushtet ligjore me datën 03 Shkurt 2022, ka pezulluar hetimet për të njëjtin. Meqenëse janë eliminuar pengesat për të cilat janë pezulluar hetimet, Prokuroria ka ndërmarr veprimet hetimore duke intervistuar të pandehurin B.T., dhe pas vlerësimit të provave Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtit më datë 18 shkurt 2022, dhe njëkohësisht, i ka bërë propozim Gjykatës kompetente për bashkimin e procedurës për rastin konkret me qellim të procedimit të rastit për të gjithë të pandehurit”, thuhet në sqarimin e plotë të Prokurorisë.
Tahiri akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Edhe
I dyshuari për 53 milionët, përditë në Ministri e “i paqasshëm për Prokurorinë”
Tahiri tani është pjesë e aktakuzës bashkë me ish-ministrin Pal Lekaj, ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha, dhe ish-sekretarit Nebih Shatri.
Aktakuza ndaj Lekajt, Berishës e Shatrit ishte ngritur më 4 shkurt.
Ajo ka të bëjë dëmin më të madh të pretenduar që dyshohet se është shkaktuar nga një aferë korrupsioni. Mbi 38 milionë euro dyshohet që është dëmtuar buxheti për shkak të keqpërdorimeve të pretenduara në rastin e pagesës shtesë “Bechtel Enkas” për shkak të vonesave të pagesave për autostradën “Arbën Xhaferi”.
-
Rasti i 53-milionëshit, Prokuroria kërkon dënim maksimal për të akuzuarit
-
Dështon seanca gjyqësore në rastin e 53-milionëshit, gjyqtari në trajtim mjekësor
-
Rasti i 53 milionë eurove, Pal Lekaj deklarohet i pafajshëm edhe në shqyrtim gjyqësor
-
Avokati: Ku kanë përfunduar 53 milionë eurot, në llogari të Pal Lekajt jo