Arbëri

Në Odën e Avokatëve kërkohet dorëheqja e kryesisë pas tërheqjes në rastin “Tetaj”

Agonis Tetaj

Oda e Avokatëve të Kosovës është tërhequr nga vendimi për të mos caktuar avokat për të akuzuarin për vrasjen e Agonis Tetajt. Shfuqizimin e vendimit e ka përshëndetur Ministria e Drejtësisë. Nga vetë Oda e Avokatëve po kërkohet dorëheqja e kryesisë dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues, që e kishin nxjerrë këtë vendim.

Oda e Avokatëve të Kosovës të premten në mbrëmje është tërhequr nga vendimi i saj për të mos caktuar avokat për Shaban Gogajn, të akuzuarin për vrasjen e Agonis Tetajt.

Në Odë kanë deklaruar se janë dorëzuar para, siç kanë thënë, presionit, kanosjeve e hetimeve nga akterët e drejtësisë, që ata i kanë quajtur të kundërligjshme.

Vendimin për moscaktim të avokatit, Oda e kishte marrë pasi gjyqtarja e rastit, Violeta Husaj-Rugova e kishte përjashtuar avokatin e Gogajt, Besnik Berishën, për shkak të sjelljes së papërshtatshme me trupin gjykues.

Këtë tërheqje e ka përshëndetur ministrja e Drejtësisë, e cila e ka quajtur të kundërligjshëm vendimin që e pati marrë Oda e Avokatëve.

“E vlerësoj reflektimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Shfuqizimi i vendimit që nuk kishte bazë ligjore i hap rrugën vazhdimit të bashkëpunimit institucional. Si përfaqësues të institucioneve, duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe interesit të përgjithshëm dhe assesi interesave individuale”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Me këtë vendim, për gati një vit, Oda e ka bllokuar procesin gjyqësor për rastin e Tetajt.

Me qëndrimin që mbante Oda, nuk janë pajtuar një pjesë e avokatëve edhe në Këshillin Drejtues.

“Që nga fillimi, kam qenë kundër që kjo çështje të trajtohet në Odën e Avokatëve lidhur me përjashtimin e një kolegut tonë, sepse Oda e Avokatëve nuk e ka atë kompetencë që ta vlerësojë ligjshmërinë e vendimeve të Gjykatave”, ka thënë Nasuf Hasani, anëtar i KD-së së Odës së Avokatëve.

Për këtë bllokadë që i ishte bërë këtij rasti, tek para një jave, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime ndaj Odës.

Nasuf Hasani që është pjesë e Këshillit Drejtues të Odës ka thënë se kryesia dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Odës që e kanë nxjerrë këtë vendim, mbajnë edhe përgjegjësi penale.

Për të mos e dëmtuar edhe më tej imazhin e Odës, ai i ka ftuar ata për dorëheqje.

“... këta nuk kanë më asnjë lloj kredibiliteti për të qëndruar në Odën e Avokatëve. Moszbatimi i vendimeve të gjykatave është vepër penale prandaj, pa asnjë mëdyshje që këtu kanë ndodhur edhe veprime kriminale”, ka thënë Hasani.

29-vjeçari Agonis Tetaj ishte vrarë në vendin e tij të punës në shtator të vitit 2018.

Prokurori i rastit në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar veprën penale nga ‘vrasje e rëndë’ në ‘vrasje nga pakujdesia’ çka kishte nxitur reagimin e babait të viktimës, i cili i kishte alarmuar përveç institucionet vendore edhe ambasadat në Kosovë

Ai madje, kishte publikuar edhe një video të vrasjes, ku shihet i akuzuari tek ia drejton armën Tetajt dhe më pas shkrep në të, çka ishte bërë shkak për kthimin e këtij rasti në pikën zero.