Arbëri

Bllokimi i rastit të vrasjes së Tetajt kundërshtohet nga anëtarët e OAK-së

Të padrejtë e kanë quajtur anëtarët e Odës së Avokatëve vendimin e Këshillit Drejtues të kësaj ode për të mos dërguar avokat tjetër mbrojtës për Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasjen e të riut, Agonis Tetaj. Kryetarët e disa degëve të OAK-së, megjithëkëtë, kanë thënë se pavarësisht kundërshtimeve që kanë, vendimet duhet respektuar. KOHA i ka siguruar dy letrat që i janë drejtuar kryetarit të Odës për zhbllokimin e procesit gjyqësor rreth rastit të Tetajt

Një vendim i Odës së Avokatëve të Kosovës i ka ndarë në dysh strukturat e këtij organi.

Muaj më parë, kjo odë kishte vendosur që të mos e caktojë një avokat tjetër për Shaban Gogajn, i akuzuar për veprën penale “vrasje e rëndë” në rastin e të riut Agonis Tetaj, pasi që trupi gjykues në Pejë kishte marrë vendim për ta përjashtuar nga detyra avokatin Besnik Berisha, me arsyetimin se ai kishte sjellje joadekuate ndaj gjykatësve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kanë kërkuar nga oda që të mos e kontestojë aktgjykimin e Gjykatës në Pejë, për përjashtimin e avokatit të Gogajt. Kontestimin e këtij aktgjykimi po e cilësojnë si të padrejtë edhe disa prej kryetarëve të degëve të Odës së Avokatëve.

Blerim Ademaj, kryetar i OAK-së nga dega në Pejë, ka bërë të ditur se ndonëse e kundërshton këtë vendim, ai dhe të gjithë avokatët janë të detyruar që ta respektojnë, ngase ndryshe mund të bëjnë shkelje të rëndë, që mund t’u kushtojë me marrje të licencës.

“Unë si kryetar i degës regjionale të Pejës jam kundër këtij vendimi. Kam qenë dhe jam kundër, mirëpo kundër këtij vendimi është edhe kryetari i degës regjionale të Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Ndërsa anëtarët e tjerë të këshillit drejtues janë pro këtij vendimi”, ka thënë ai. “Jemi të detyruar që të gjithë avokatët, e jo vetëm unë, që ta respektojmë, mirëpo shpresoj që Këshilli Drejtues do të reflektojë në të ardhmen dhe nuk do të kemi kësi pengesa”.

Ndërkaq Nasuf Hasani, kryetar i OAK-së nga dega në Prishtinë, ka thënë se vendimi është i kundërligjshëm dhe se është dashur që të ndërmerreshin veprime të mëhershme nga Oda lidhur me mosankesën, në rast se një avokat përjashtohet.

“Konsideroj që duhet të dilet vetë Oda e Avokatëve nga kjo situatë, ta shfuqizojë atë vendim, sepse mbi të gjitha edhe njëherë po e ritheksoj, ata individë, që ishin në komisionin e Ministrisë së Drejtësisë, është dashur tash në draftimin e Kodit të Procedurës penale të paraqesin mjetin juridik”, është shprehur ai.

KOHA ka siguruar dy letra që i janë drejtuar Odës së Avokatëve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet të cilave është theksuar se oda po paraqet pengesë në këtë çështje të ndjeshme penale.

KGJK-ja i ka bërë thirrje OAK-së që t’i shqyrtojë këto dy vendime dhe ta zhbllokojë procesin në rastin që e kishte tronditur të gjithë vendin, pas publikimit të video-incizimeve nga vrasja prej babait të të ndjerit Agonis Tetaj.

“Ju shkruajmë përkitazi me vendimin nr. 827-1/2021 të datës 12 korrik 2012 dhe vendimin nr. 827-2/2021 të datës 9 shtator 2021, me të cilat akte u është ndaluar avokatëve caktimi në pozitën e mbrojtësit në rastin me numër PKR Nr.43/19. Këshilli Gjyqësor i Kosovës shpreh shqetësimin serioz dhe e fton Odën e Avokatëve të Kosovës që të tregojë konstruktivitet dhe të mos i pengojë avokatët në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara me Ligjin për avokatinë dhe Kodin e Etikës”, thuhet në letrën që kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, i ka nisur kryetarit të OAK-së, Behar Ejupi, më 8 dhjetor.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në letrën nisur Ejupit, më 7 dhjetor, i ka kërkuar që në afat prej 30 ditësh ta njoftojë Ministrinë me shkrim për veprimet që i ka marrë OAK-ja lidhur me kërkesën e gjykatës kompetente, për caktimin e një avokati mbrojtës për këtë çështje.

“Duke pasur parasysh përgjegjësitë e mija si ministre, si dhe bazuar në Ligjin për Avokatinë, ftoheni që brenda afatit prej tridhjetë ditësh kalendarikë ta njoftoni me shkrim Ministrinë e Drejtësisë për veprimet që i ka ndërmarrë Oda e Avokatëve të Kosovës lidhur me kërkesën e gjykatës kompetente për caktimin e një avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare nga Oda në çështjen penale PLR.nr 43/19”, thuhet në letrën e ministres Haxhiu.

Në lidhje me këto letra dhe rreth çështjes, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve të adresuara nga KOHA, teksa javën e kaluar, Ejupi në një konferencë për media ka thënë se nuk do të ketë zmbrapsje nga vendimi dhe se pritet që KGJK-ja dhe Ministria t’i kërkojnë trupit gjykues që ta rikthejë në detyrë avokatin e larguar.

“Besoj dhe shpresoj shumë edhe te kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, e edhe te ministrja e Drejtësisë që në dispozitat ligjore që ne i cekëm dhe kompetencat e tyre të ndryshojnë vendimin, sepse vendimi është i dëmshëm, ngase është marrë me një mori shkeljesh”, ishte shprehur kryetari i Odës.

Bllokimi i rastit për vrasjen e Tetajt ka nisur që pas përjashtimit të avokatit Gogajt. Pas largimit të tij, Oda e Avokatëve ka marrë vendim që të mos e dërgojë një avokat tjetër mbrojtës për të pandehurin. Si pasojë e kësaj, procesi ka stagnuar dhe pritet që të vazhdojë kësisoj.