Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Mitrovicë rikujtohet shkëmbimi i robërve serbë me ushtarët e UÇK-së

Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, sot në Mitrovicë u mbajt manifestimi “Shala heroike”, i cili pasqyron veprën e ushtarëve të Zonës Operative të Shalës të Bajgorës, të cilët 21 vjet më parë kishin zënë robër tetë ushtarë serbë.

Ata u shkëmbyen më 13 janar me nëntë ushtarë të UÇK-së të zënë nga forcat serbe, ndërsa në lidhje me këtë gjatë këtij manifestimi u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar “Shkëmbimi”, në regji të Fazli Muharremit.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se sa herë përmendet Shala, mburret e gjithë Mitrovica dhe Kosova.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së familjarëve të dëshmorëve, theksoi se sa herë kujtohet dhe nderohet lufta e UÇK-së, nderohet ngjarja më e rëndësishme e historisë së re të popullit shqiptar, bashkimi kombëtar. Sipas tij, akti i këmbimit të robërve të luftës të zënë në Shalë, ishte i mjaftueshëm për të dëshmuar para botës se UÇK-ja ekzistonte.

Ndërsa, Hysni Ahmeti, ish-komandant i Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, ka potencuar dy aspekte kryesore të ngjarjes së zënies robër të ushtarëve serbë. E para, tha ai, ishte vendosmëria e brigadës 141 që të mos i dorëzojë pa shkëmbim robërit e luftës, dhe e dyta, ishte hera e parë që faktori ndërkombëtar së bashku me serbët, u detyruan të ulen në tavolinën e bisedimeve për të negociuar shkëmbimin e luftëtarëve.

“Do të thotë, ishte hera e parë që ushtria serbe e ka njohur UÇK-në si ushtri të rregullt”, tha Ahmeti.

Regjisori i filmit dokumentar ‘Shkëmbimi’, Fazli Muharremi, ka sugjeruar që në të ardhmen të ketë sa më shumë filma për luftën, në mënyrë që të mos harrohet ajo.

“Ky manifestim duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duhet të vazhdojmë me sa më shumë filma artistik për luftën, sepse po harrohet lufta. Njëzet vjet pas luftës, asnjë film nuk është për Adem Jasharin”, ka thënë Muharremi /KsP.

Artikuj të ngjashëm